Juristi dhe ish anëtari i KQZ-së, Bledar Skënderi në një intervistë për Report Tv teksa komentoi ankimimet e PD për 9 qarqe për të cilat kërkon përsëritje të votimeve, tha se Kodi Zgjedhor nuk e njeh konceptin e përsëritjes së zgjedhjeve por shpalljen e pavlefshmërisë së tyre në 1 ose disa qendra votimi dhe jo për një njësi të tërë administrative. Si rrjedhojë Skënderi e cilëson politike kërkesën e PD dhe të pambështetur me argumente ligjore. Sipas tij nuk janë paraqitur prova për një ose disa qendra votimi ku mund të ketë pavlefshmëri të tilla ligjore që përmbysin rezultatin e zgjedhjeve dhe si rrjedhojë ndryshon edhe shpërndarja e mandateve. Ai thotë se ankimimi është formuluar në formë teorike dhe të përgjithshme dhe se KAS do të japë një gjykim shumë shpejt për të.
Skënderi tha se kërkesa e PD është politike dhe teorike dhe se në të nuk ka akuzat apo fakte konkrete ligjore të manipulimit në qendra të caktuara të votimit, por vetëm kërkesa të përgjithshme në të gjithë qarkun.
A mund të kërkohet përsëritje e zgjedhjeve nëse nuk janë konstatuar parregullsi në fazën e rinumërimit?
Siç e theksova përsëritja është pasoja e vendimmarrjes së KQZ për pavlefshmëri. Nëse KQZ nuk i shpall zgjedhjet e pavlefshme në një apo më shumë qendra votimi dhe numërimi i zgjedhjeve nuk ndikon në shpërndarjen e mandateve nuk ka përsëritje. Pra përsëritja nuk është pasojë në vetvete, përsëritja është pavlefshmëri në disa qendra votimi. Pala ankimuese duhet të provojë në një ose disa qendra votimi që kanë ndodhur parregullsitë në atë shkallë që procesi të jetë i pakthyeshëm dhe zgjedhjet të shpallen të pavlefshme.
PD kërkon rivotim në të gjithë qarkun dhe jo vetëm në disa qendra votimi?
Po sqaroj si është parashikuar pavlefshmëria në Kodin Zgjedhor. Pavlefshmëria kërkohet në një qendër votimi. Pala ankimuese duhet të argumentojë se në atë qendër votimin ka ndodhur parregullsisë sa është cenuar vullneti i zgjedhësve aq sa zgjedhjet janë të pavlefshme. Pastaj shikohet se sa ndikon kjo në rezultatet e gjithë qarkut. Kërkesa e PD ishin voluminoze, më tepër mu duken të karakterit politik sesa të mbushura me argumente ligjore.
A ka KAS në kompetencë anulimin e zgjedhjeve dhe më pas rivotimit?
NENI 21 i Kodit Zgjedhor një nga kompetencat është që KAS vendos shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në 1 ose disa qendra votimi. Pra KAS shikon shkallën e parregullsive që kanë ndodhur gjatë procesit të votimit dhe gjatë procesit të numërimit ose mund të jetë një rast që kutia mund të jetë marrë në dorëzim e parregullt nga ana e KZAZ dhe normalisht apriori në këto qendra votimi shpallen të pavlefshme.
Po në një qark a mund të shpallen të pavlefshme?
Nuk është në vetvete pavlefshmëria e zgjedhjeve në të gjithë qarkun. Pra siç e thashë a kemi zgjedhje të pavlefshme në një qendër votimi , pastaj përsëritja është pasojë e këtij veprimi. Pastaj shikohet a ndikon kjo në ndarjen e mandateve. Kodi e ka të parashikuar shumë qartë mënyrën si bëhet kjo.
Në cilat raste sipas Kodit mund të bëhet ripërsëritja e zgjedhjeve në një Qark të tërë?
Kodi parashikon në nenin 160 nuk ka nocion të përsëritjes së zgjedhjeve. Kodi ka nocion pavlefshmërinë. Janë 3 raste që parashikon KODI. Në një ose dy qendra janë kryer shkelje që kanë dëmtuar rezultatin. Për shkak të fatkeqësive natyrore nuk është bërë votimi dhe e treta kur është bllokuar votimi për 5 orë. Mbetemi te pika e parë që ka të bëjë me pavlefshmërinë për shkelje të rënda ligjore. Mesa pashë ankimin, ishte më shumë teorik se sa i mbështetur me prova dhe fakte konkrete. Nuk kemi pavlefshmëri të zgjedhjeve në një ose disa qendra votimi, por kemi një koncept të përgjithshëm për përsëritje në të gjithë qarkun.
A kemi precedent të mëparshëm për ripërsëritje të zgjedhjeve në të gjithë qarkun?
Në dijeni time nuk kemi asnjë rast kur është urdhëruar pavlefshmëria e zgjedhjeve apo përsëritja e tyre në një njësi vendore apo në gjithë vendin, sidomos me ndrysimet e fundit të Kodit Zgjedhor. Vendimet për ndryshimet e tabelës do një shumicë të posaçme pra do 4 vota pro nga 5 që ka komisioni.
Cilat janë hapat?
Ne do presim që KQZ të shikojë anën formale të subjektit që ka të drejtë apo të bëjë ankimim. Në varësi kemi operime. Nuk kemi kërkesa të posaçme për rinumërim dhe rivlerësim të votave të caktuara besoj do jetë një kërkesë ankimore që do gjykohet shumë shpejt.
Sipas jush pse PD nuk ka kërkuar rinumërim por direkt përsëritje të zgjedhjeve?
Së pari do thosha se drejtimi bipartisan i komisioneve në të gjitha hallkat e ka bërë PD bashkëqeverisëse në të gjitha komisionet. PD ka pas anëtar në komisione votimi dhe numërimi. Pra ata kanë qenë pjesë e procesit zgjedhor. nuk kanë pasur argumente për këtë proces ndoshta.
Ju thatë se kërkesa ishte me prapavijë politike, fakti që nuk ka kërkuar rivotim për qarqet?
Kërkesa ishte e natyrës teorike. Nuk kishte kërkesa të tipit janë zhvilluar parregullsi në këtë qendër, por ishin të përgjithshme.
Po çfarë thotë neni 160 i Kodit Zgjedhor? Sipas saj pavlefshmëria në qendrën e votimit shpallet kur ka prova dhe arsye që është shkelur ligji në ato qendra votimi në atë mënyrë që ka cenuar procesin zgjedhor në atë mënyrë që mund të ketë ndikuar në ndarjen e mandateve në zonën zgjedhore. Në 10 dosjet voluminoze që PD ankimoi sot në KAS për 9 qarqe në të gjitha kërkesat e çuara PD kishte argumentuar gjërat të përgjithshme dhe jo prova konkrete për një qendër votimi apo disa prej tyre duke folur vetëm në mënyrë të përgjithshme për qarkun dhe denoncimet që kishte bërë në SPAK dhe për këtë kërkonte që të bëhet rivotim në 9 qarqe për Shkodër, Durrësin, Tiranën, Elbasanin, Fierin, Beratin, Gjirokastrën, Korçën Dhe Vlorën.
PAVLEFSHMËRIA DHE PËRSËRITJA E ZGJEDHJEVE
Neni 160:
Pavlefshmëria e zgjedhjeve në qendrën e votimit (ndryshuar pikat 1 dhe 2, me ligjin nr.74/2012, datë 19.07.2012)
1. KQZ-ja, kryesisht ose me kërkesë të subjekteve zgjedhore, i shpall zgjedhjet të
pavlefshme në një apo më shumë qendra votimi, në rast se:
a) kanë ndodhur shkelje të ligjit, të cilat kanë cenuar rëndë procesin zgjedhor
ose kur tërësia e shkeljeve të ligjit, sipas kësaj shkronje, të ndodhura në ato
qendra votimi mund të ketë cenuar procesin zgjedhor në një masë të tillë, që
mund të ketë ndikuar në ndarjen e mandateve në zonën zgjedhore;
b) kanë ndodhur fatkeqësi natyrore në përmasa të tilla, që kanë penguar
pjesëmarrjen e zgjedhësve në votim; ose
c) votimi nuk ka filluar apo është pezulluar për më shumë se pesë orë.
2. Subjektet zgjedhore, në përputhje me rregullat dhe afatin e përcaktuar në nenin
124 të këtij Kodi, kanë të drejtë të kërkojnë në KQZ shpalljen e pavlefshmërisë së
zgjedhjeve në qendra të caktuara votimi.
3. Kërkesa për shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve duhet të përmbajë shkaqet ligjore përshkrimin e rasteve të shkeljeve dhe arsyetimin e detajuar për pasojën e tyre.
4. Shqyrtimi i kërkesave bëhet sipas procedurave të përcaktuara në pjesën X të këtij Kodi. KQZ-ja, në marrjen e vendimit për pavlefshmërinë e zgjedhjeve, mund konsultohet me KZAZ-në përkatëse. Në arsyetimin e vendimit të KQZ-së duhet të përshkruhet shkaku ligjor, rastet e vërtetuara të shkeljeve dhe arsyetimi i detajuar për pasojën e tyre.
Neni 161:
Përsëritja e zgjedhjeve
1. Pas përfundimit të procesit të ankimit, jo më vonë se 3 ditë nga nxjerrja e rezultatit të zonës zgjedhore, KQZ-ja kryesisht ose me kërkesë të subjektit, shpall të pavlefshme 113 dhe urdhëron përsëritjen e zgjedhjeve në të gjithë zonën zgjedhore, kur pavlefshmëria e shpallur në një ose disa qendra votimi, sipas nenit 160 të këtij Kodi, ndikon në ndarjen e mandateve në zonën zgjedhore ose në shkallë vendi.
2. Do të konsiderohet ndikim në ndarjen e mandateve për zgjedhjet në Kuvend kur numri i zgjedhëse, që kanë votuar apo mund të kishin votuar në qendrën apo qendrat e votimit të shpallura të pavlefshme, është i barabartë ose më i madh se numri i zgjedhësve të nevojshëm për caktimin e një mandati në zonën zgjedhore përkatëse, mbi bazën e përllogaritjes së votave të vlefshme në zonën zgjedhore, të bërë sipas nenit 162 të këtij Kodi. Për zgjedhjet për kryetar të qeverisjes vendore ndikim në rezultat do të konsiderohet kur numri i zgjedhësve në qendrat e shpallura të pavlefshme është më i madh se diferenca midis dy kandidatëve që kanë marrë numrin më të madh të votave të vlefshme.
3. Në rast pavlefshmërie për shkak të fatkeqësisë natyrore, sipas shkronjës “b”, apo të mosfillimit të votimit ose pezullimit më shumë se pesë orë të tij, sipas shkronjës “c” të pikës 1 të nenit 160, merret në konsideratë numri total i zgjedhësve të regjistruar në qendrën e votimit të shpallur të pavlefshme.
4. Në rast pavlefshmërie për shkelje të ligjit, sipas shkronjës “a” të pikës 1 të nenit 160, apo kur votimi është shpallur i pavlefshëm, sipas paragrafit të dytë të pikës 4 të nenit 138 të këtij Kodi dhe kur procesi i votimit ka përfunduar, sipas këtij Kodi, për përcaktimin e ndikimit merret në konsideratë numri i zgjedhësve që kanë votuar në qendrën e votimit të shpallur të pavlefshme.
5. Përsëritja e zgjedhjeve urdhërohet në të njëjtin vendim të KQZ-së, që i shpall ato të pavlefshme. Zgjedhjet për këshillat e qeverisjes vendore nuk përsëriten. 6. Zgjedhjet e shpallura të pavlefshme dhe për të cilat KQZ-ja ka vendosur përsëritjen, sipas këtij neni, përsëriten në një ditë të vetme për të gjitha zonat zgjedhore ku është vendosur përsëritja e tyre. Vendimi për caktimin e datës për përsëritjen e zgjedhjeve merret nga KQZ-ja me përfundimin e procedurave ankimore, sipas kësaj pjese ose me kalimin e afateve ligjore të ankimit, të përcaktuara në këtë pjesë. Përsëritja e zgjedhjeve zhvillohet jo më vonë se 4 javë nga data e vendimit.
7. Ankimi ndaj vendimit të KQZ-së për shpalljen ose jo të zgjedhjeve të pavlefshme bëhet në përputhje me afatet dhe procedurat e përcaktuara në këtë pjesë.