Në datë 2 maj Princesha Charlotte festoi 6-vjetorin e lindjes dhe me këtë rast Pallati Mbretëror publikoi një foto portret të saj. Princesha shfaqej në foto me një buzëqeshje të stampuar në fytyrë dhe me një fustan ngjyrë blu me printe lulesh të ndryshme. Fotografia u shkrep nga Dukesha Kate Middleton dhe menjëherë pas publikimit nisën krahasimet e Princeshës Charlotte me të afërmit e saj, për të gjetur se me kë ngjason ajo më shumë.
Pjesa më e madhe e kanë krahasuar atë veçanërisht me stërgjyshen e saj, Mbretëreshën Elizabeth dhe të atin Princin William, kur ata kanë qenë fëmijë. Fansat e pallatit mbretëror kanë marrë si referencë një foto të Mbretëreshës Elizabeth të shkrepur në vitin 1939, kur ajo ka qenë 9 vjeçe dhe një tjetër kur ka qenë në moshën që ka mbesa e saj sot.
Ndërsa ata që mendojnë se Charlotte ka ngjashmëri me Princin William, kanë marrë si referencë një foto të tij nga viti 1987, kur ai ka qenë në moshën e Charlotte.
Ditëlindja e Princeshës Charlotte erdhi pak ditë pasi prindërit e saj, William dhe Kate, festuan 10-vjetorin e martesës së tyre. Në datën e shënuar për çiftin e famshëm nuk mungoi dhe një urim e dedikim nga Mbretëresha Elizabeth.
“I uroj Dukës dhe Dukeshës së Kembrixhit një përvjetor shumë të lumtur të martesës. Sot bëhen 10 vjet që kur Lartësitë e Tyre Mbretërore shkëmbyen zotime në Westminster Abbey”, shkroi mbretëresha në urimin e saj.