Deputetja e PS në Durrës, Klodiana Spahiu, deklaroi sot se, humbësi në zgjedhje duhet t’i kërkojë defektet tek vetja.
E pyetur në një intervistë televizive, për ankesat e PD dhe LSI për zgjedhjet e 25 prillit, Spahiu tha se, “ne sot kemi këtë rezultat. PS është fituese me këtë rezultat edhe në Durrës. Kushdo që të ishte humbësi, së pari duhet t’i kërkojë defektet tek vetja. Përmirësimi i një force, qoftë e madhe, qoftë e vogël politike, kur humbet vjen duke analizuar shkaqet e humbjes dhe duke marrë masa për të qenë më të fortë në zgjedhjet e radhës. Pra nuk duhen gjetur shkaqet tek fituesi”.
Spahiu foli edhe për ankimimet e opozitës ku kërkon ribërjen e zgjedhjeve në disa qarqe, duke thënë se këtë kërkesë duket ta mbështetësh në fakte e prova dhe jo thjeshtë të shkosh në KAS dhe t’u thuash atyre ‘m’i siguroni dokumentet’.
“Nëse do kenë fakte dhe prova ato duhet t’i çojnë në Prokurori. Kanë kërkuar hapjen e kutive në KAS. Kanë kërkuar ribërjen e zgjedhjeve. Por që ti të kërkosh ribërjen e zgjedhjeve ti duhet të dokumentosh shkeljen e zgjedhjeve në ditën e votimit. Është minimalja. Ti ndërkohë shkon të kërkosh të bëhen zgjedhje dhe nuk ke akuza konkrete, por thua që unë dua dokumentacione nga institucionet, se për shembull, një akuzë është pse është dhënë pagesa për dëmet nga tërmeti, pse është dhënë bonusi? Ndërkohë kur merr informacione në bashki dhe sipas gjithë rregullit që është ndjekur, që në kohën pas tërmetit bonusi është një gjë që miratohet nga këshilli bashkiak. Dhe nëse ajo është dhënë në prill është miratuar në dhjetor”, tha Spahiu.
“Në këto zgjedhje të paktën procesi i identifikimit biometrik ka qenë një proces që ti nuk kishe se si ta manipuloje, sepse ti dilje me figurë në momentin që ti aplikoje me shenjat e gishtit”, tha Spahiu duke shtuar se, “të akuzosh që janë bërë veprime të tilla, së pari, ti ke akuzuar komisionerin tënd, sepse ne të gjithë e dimë që në çdo qendër votimi, përveç vëzhguesit që e ka secila forcë ti ke komisionerët e tu që janë aty prezentë. Dhe ti nuk ke shanse që të kalosh aq lehtësisht, të votosh 2-3 herë duke pasur komisionerë. Ose mbi të gjitha në procesin e numërimit që ka qenë transparent në të gjithë Shqipërinë, ti përveç se i numëron dhe ke numëruesin tënd në tavolinë, sidomos forcat e mëdha politike, PD ka pasur numërues, LSI ka pasur”, u shpreh Spahiu.
Duke folur për projektet në Durrës, Spahiu tha se, “dëshira ime është që të gjitha to projekte që ne jemi zotuar, bashkë me kryeministrin, në qarkun e Durrësit, t’i realizojmë në afatet që kemi thënë dhe nuk janë pak, janë shumë projekte dhe shumë të rëndësishme që nuk janë vetëm për qarkun e Durrësit, por janë për të gjithë Shqipërinë. Puna ka filluar kudo në projektet që ne jemi zotuar përpara qytetarëve durrsakë, por të jemi në kohë në realizimin e këtyre projekteve. Jemi zotuar që në projektet madhore, siç është ai i portit turistik, apo Eko Parku, ne duam që ta rikthejmë edhe një herë Durrësin si një nga qendrat kryesore të turizmit jo vetëm shqiptar, por edhe mbarë ballkanik”.
Spahiu foli edhe për projektimin në portin e ri turistik në Durrës, ku tha se, “nuk kemi të bëjmë më me një projekt tredimensional, pra që e kemi parë, por besoj që qytetarët durrsakë kanë filluar ta ndiejnë që kanë filluar hapat e parë të punës në atë pozicion që nuk e cenon punën aktuale në portin tregtar. Pra kemi kalatën lindore që është në fillim, në një pozicion që nuk shfrytëzohet aktualisht nga porti tregtar. Duhet sipas projektit që të bëhet transferimi në një mënyrë që të mos dëmtohet edhe puna në portin tregtar, se e dimë që është një nga burimet kryesore për qytetin e Durrësit. Por njëkohësisht e dimë që tashmë porti tregtar duhet zhvendosur që andej dhe vendimi që është marrë është plotësisht i drejtë. Edhe në planin e përgjithshëm vendor të bashkisë së Durrësit tashmë ka kaluar ky projekt. Dhe mbi të gjitha puna ka filluar në një pozicion që nuk e cenon punën në portin tregtar. Dhe mbi të gjitha ka filluar edhe puna në vendin ku do të transferohet porti tregtar”.
Spahiu shtoi se, “projekti i portit turistik është një nga projektet më të mëdha që po realizohet, jo vetëm për Durrësin, por për të gjithë Shqipërinë dhe impakti do të jetë jo vetëm për ekonominë dhe për turizmin e Durrësit, por besoj për të gjithë Shqipërinë. Dhe ashtu siç është shprehur edhe investitori, besoj do jetë porti turistik më i madh në Ballkan, ose ndoshta një ndër më të mëdhenjtë dhe do të jetë një vlerë e shtuar për qytetin tonë”.
“Padyshim që edhe për ekonominë e qarkut do të influencojë shumë, sepse edhe zona e Porto Romanos dhe e Spitallës do të ketë një zhvillim krejt tjetër. Do të jetë Parku Fotovoltaik, që me siguri do të ndryshojë komplet ekonominë e zonës. Por mbi të gjitha kemi dhe Eko Parkun që kemi diskutuar edhe më parë. Mendoj që ne brenda qershorit ta inaugurojmë Eko Parkun dhe besoj që do të jetë një nga parqet atraktive më të bukura të Shqipërisë, jo vetëm për zonën, por për të gjithë qarkun e Durrësit”, tha Spahiu.