Nga Alfred Peza
Nëse ndokujt i ka mbetur pishman, që nuk e pati mundësi ta shihte Lulzim Bashën si Kryeministër pas 25 prillit, e ka shumë kollaj për ta përfytyruar atë. Mjafton të shihni, sesi ai po sillet me humbjen, për të kuptuar sesi do e menaxhonte edhe fitoren. Sepse një lider është po njëlloj dinjitar, edhe në humbje, edhe në fitore.
Nëse po e shihni Lulzim Bashën që ti shmanget përgjegjësive të humbjes, e sigurtë është se po njëlloj, ai do ti shmangej edhe përgjegjësive të fitores. Nëse po e shihni Lulzim Bashën që të refuzojë për ta lexuar shkakun e humbjes, e sigurtë është se ajo ka për ta penguar gjithmonë, që të shkojë drejt fitores.
Lulzim Basha sot është një lider në hall, jo sepse ai nuk e di se përse është i destinuar që të shkojë nga njëra humbje në tjetrën, por sepse ai është totalisht i pafuqishëm për ta shmangur atë. Disfata e rëndë që pësoi këtë radhë, e konfirmoi se prej saj nuk e shpëton dot as koha, as fati, as rrethanat politike dhe as kundërshtari. Por vetëm vetja.
Askush nuk e pranon që është një dështak, aq më pak një udhëheqës politik në Shqipëri, e mbi të gjitha kandidati i opozitës për Kryeministër. Lulzim Basha vuan nga sindroma e mizës që ndodhet majë kalit gjatë ecjes me revan, duke besuar rrugës, se e gjitha ndodh për shkak të saj.
Kalorësi i kalit të opozitës është Sali Berisha, ndërsa Lulzim Basha pret aty që ai të rrëzohet vetë, e ti mari nga duart frerët. Është kjo arsyeja se përse humbjet e 2013, 2015, 2017 dhe 2019, e deri tek kjo e 2021, ai nuk i konsideron të tijat. Ndaj i shmanget sistematikisht përgjegjësive, siç po bën edhe këto ditë, kur belbëzon se beteja do vijojë deri në fitore!
Lulzim Basha ka dy rrugë për të ndjekur pas kësaj: Ose të pranojë me gojën e tij, se ai është vetëm lideri “de jure” dhe jo “de facto” i opozitës e përgjegjësinë tia lerë Sali Berishës. Ose të deklarojë se lideri i vërtetë është ai vetë dhe të mari të gjitha përgjegjësitë që i takojnë, pas humbjes katastrofike në zgjedhje.
Por Lulzim Basha nuk bën, as njërën, as tjetrën. Ai as nuk e provon dot se është lideri real, as nuk lufton për ta vrarë “babain politik” dhe as nuk e pranon përgjegjësinë për humbjen. Për aq kohë sa kjo situatë do të mbetet kësisoj, ai vetëm do vijojë e do vijojë, që ti humbi të gjitha betejat e tij politike.
Është pikërisht kjo situatë e mbushur me një kontradiktë thelbësore brenda saj, ajo që e bën Lulzim Bashën që të mos i mari përgjegjësitë, as pas humbjes së fundit. Ndaj ai, as nuk e pranon fajësinë dhe as nuk e jep dorëheqjen. E për rrjedhojë, as nuk e njeh fitoren e mazhorancës, as nuk e uron Edi Ramën e PS dhe as nuk është i qartë se çdo bëjë në të ardhmen.
Nëse do ishte lideri real i opozitës, Lulzim Bashës do i duhej të jepte doreheqjen dhe të largohej si çdo humbës i madh. Ose të qëndronte duke marë përgjegjësitë. Ta lexonte siç duhej humbjen, ta analizonte atë dhe ti ftonte opozitarët, demokratët dhe lidershipin e partisë, për një reflektim të thellë. Për ta parë të vërtetën në sy, për ta pranuar atë dhe për ti ftuar të gjithë që të punonin sëbashku për ta ndrequr. Shenjë e sigurtë, se në zgjedhjet e ardhshme, gjithçka do të ishte ndryshe!
Por Lulzim Basha as nuk e ka bërë, e as nuk pritet që ta bëjë këtë. E vetmja rrugë që i ka mbetur, i vetmi shteg që ka lënë për shpëtim, është që të vijojë siç e ka nisur deri në fund. Ndaj do vijojë të mbrojë me çdo mjet e çmim kolltukun e tij, duke mbajtur thellë në xhep vulën e PD dhe fort në dorë, skeptrin e liderit fals të opozitës.
Kjo është arsyeja, se përse nuk ka për të patur kurrë një garë reale brenda PD dhe aleatëve të saj të vjetër, për lidershipin e tyre. Edhe pasi ikën nga pushteti më 2013, asnjë prej tyre nuk iku, në pritje të rikthimit pas 8 vjetësh në pushtet. E kur kjo nuk ndodhi, as që kanë ndërmend të ikin, sepse i kanë shndërruar prej kohësh partitë në prona private.
Kaq mjafton për të kuptuar se nëse Lulzim Basha do të bëhej Kryeministër, po njëlloj si me PD do të sillej edhe me qeverinë, edhe me shtetin. Nuk do shumë mend për ta kuptuar këtë. Mjafton që të shihni si po sillen me humbjen, për të kuptuar, sesi do ta menaxhonin fitoren!