Nga Artur Ajazi/ Partisë Demokratike, po i ikin një nga një, të gjithë. Militantët, thelemuesit, drejtuesit, aleatët. Po ikin Goni, Monika, Nardi, gati për të ikur Vangjeli, Shpëtimi, apo dhe Dashi. I vetmi “besnik” mbetet Fatmir Mediu, i cili është marrë në ndjekje penale nga SPAK, dhe hija e Berishës i duhet akoma. Si mundet, të katandiset kështu një parti, që festonte “fitoren” prej 1 muaji, si mundet të katandiset “kokoshi një thelë”, madje edhe më keq.
Kur nuk kishin kaluar as 72 orë nga mbyllja e kutive dhe shpallja paraprake e fitores së Ramës, do të ishte Gon Duka (i cili i uroi fitoren kryeministrit dhe kryetarit të Partisë Socialiste) që do ti bënte apel Bashës “prano humbjen, merr përgjegjësitë, hap partinë, bëj zgjedhje të lira brënda PD”. Kjo nënkuptonte shumë për Bashën. Po ashtu edhe Nard Ndoka, ka mbetur i shokuar nga humbja katastrofike, duke akuzuar PD, pasi ka marrë disa dhjetra vota, dhe pikërisht në Shkodër. Shkurt dhe saktë. Partia Demokratike aktualisht nuk ka më aleatë ta mbështetin në rrugën dhe marrëzinë e saj.
Nga ana tjetër zërat kundër Bashës sa vijnë dhe shtohen, gojë të tjera, si ajo e Markut apo Gjekmarkajt, duket sikur e rikthejnë Partinë Demokratike 20 vjet pas. Ata duan “protesta, kaos, kapje prej zhelesh dhe nxjerrje nga zyra me dhunë e zyrtarëve të qeverisë deri në fitore”. Dhe kjo, jo për qëndrim “kritik ndaj humbjes”, por thjesht për ti vështirësuar dorëheqjen Lulzimit, dhe për ta paralajmëruar atë për “ndonjë marrëveshje me Ramën”. Shkërrmoqja e aleancës opozitare, dihej se si do të përfundonte. Kjo pasi pothuajse gjithë partitë e spektrit të djathtë, qysh në fillim, nuk ishin dakort për LSI-në e Monika Kryemadhit. Një parti pazaresh që deri në 25 Prill kishte mundur të mbijetonte falë akrobacive elektorale, dhe blerjeve të mandateve që i kishin siguruar asaj qasje në qeverisjen e PD dhe PS.
Por realisht partia kryesore e opozitës, ndodhet në momente kritike të vazhdimësisë saj, sidomos pas humbjes së zgjedhjeve të 25 Prillit. E ndërsa shkaqet duket sikur shtohen ditë pas dite, duke nisur nga futja në listat e PD të kryetarëve të partive aleate, apo tolerimi i Ilir Metës në bërjen e “opozitarit ekstremist” deri ditën e fundit të fushatës, Lulzim Basha duhet të marrë një vendim. Ai nuk duhet të presë Shtatorin, as futjen në Parlament. Basha duhet ta nisë nga analiza, pergatitja e procesit të zgjedhjeve të reja në PD, të cilat do të zhvillohen në muajin Korrik. Ai proces, duhet të jetë transparent, dhe kjo sigurohet vetëm duke u dorëhequr ai si kryetar partie.
Qëndrimet e PD-së dhe aktiviteti i saj, ka qenë dhe është i paqartë dhe pa një strategji të mirëmenduar për të fituar besimin e elektoratit që duket se e ka humbur që kur u pozicionua krahas LSI-së dhe Ilir Metës. Aleanca me LSI-në dhe shpresa e pakuptimtë që PD mbante tek “egërsia” e Metës para dhe gjatë fushatës, krijuan shtratin e duhur në terren për humbjen e pritshme në 25 Prill. Tani mbetet rradha e Lulzimit, të vendosë mbi shkëputjen ose vazhdimin e misionit të pamundur përmes qorrsokakeve ku e ka futur Sali Berisha. Ëndërra me pushtet mbaroi, ashtu siç u shkri edhe aleanca e “fitores”me partitë parazite. Tani fillon beteja e vërtetë Lul, por mos harro dorën e shtrirë të Edi Ramës……