Tiranë, 21 Maj – 39 mjekë të rinj, të specializuar në fusha të ndryshme, do të punësohen menjëherë në spitalet rajonale, pas procesit të përzgjedhjes së vendeve, me përfundimin e ciklit 4-vjeçar të specializimeve në Mjekësi. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka pritur sot në një takim 39 mjekët e rinj, të cilët, nga dita e hënë do të nisin punë në spitalet rajonale në vend, sipas kontratës me Ministrinë e Shëndetësisë, për një periudhë 3-vjeçare. “Për ne e rëndësishme është që ju të jeni sa më afër qytetarëve, ndërkohë që ne jemi të gjithë bashkë në një sistem që i përgjigjet nevojave, që i përgjigjiet kohës dhe që duhet t’i përgjigjiet dhe të ardhmes. Prandaj është shumë e rëndësishme që ashtu sikurse jeni sot, 39 specialistë të rinj të cilët shkojnë për të ofruar shërbim në spitalet tona rajonale, ashtu edhe nesër, secili prej jush mund të prezantojë atë të re që do të sjellë në spital, përpos punës së tij të përditshme”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë tha se mjekët specialistë do të fillojnë punë në spitalet rajonale, përfshirë edhe Spitalin e ri Memoria të Fierit, i cili pritet të hapet së shpejti. “Ju si mjekë specialistë do të atashoheni pranë spitaleve rajonale dhe duke qenë se ne po bëjmë funksional dhe brenda këtij muaji bëhet funksional Spitali Memorial në Fier, një pjesë e juaja do të atashohet menjëherë në këtë spital, ku janë bërë të gjitha procedurat dhe tashmë jeni gati për të filluar punën në një strukturë bashkëkohore, moderne dhe që do të ofrojë për herë të parë një model të ri, i cili do të menaxhohet me një staf të përbashkët shqiptaro-turk. Por gjithashtu jam e kënaqur dhe krenare dhe për gjithë të tjerët, të cilët kanë përzgjedhur, sipas sistemit të pikëzimit, të jenë pjesë e stafeve tona në spitalet rajonale”, tha Manastirliu. Gjatë takimit me mjekët e rinj, Manastirliu tha se mbështetja nuk do të mungojë, përmes incentivave te ndryshme financiare, përpos rritjes së pagave 40%, e cila tashmë ka filluar. “Ne jemi duke menduar edhe në vijim skema të ndryshme të mbështetjes tuaj. Sepse ne e dimë që nuk mjafton vetëm të kesh përfunduar specializimin. Duhet edhe të trajnohesh dhe të edukohesh në vazhdim. Duhet edhe të të krijohen lehtësitë për të mundësuar që të japësh më të mirën e vetes. Jemi duke krijuar skema të incentivimit dhe shumë shpejt besoj do të kemi edhe të tjera mekanizma për mbështetjen tuaj”, tha Manastirliu.

Mjekët specialistë të pranishëm në takim vlerësuan iniciativën e qeverisë për rritjen e kapaciteteve njerëzore. “Kam aplikuar për Spitalin e Fierit dhe jam e kënaqur që u pranova. Faleminderit për mundësinë që na u dha. Mendoj që është një iniciativë shumë e mirë edhe iniciativa e qeverisë për mobilitetin e njerëzve. Shumë prej nesh, në disa faza të caktuara nuk janë koshient për çfarë në fakt ofron mobiliteti, kudo qoftë, edhe për rritjen personale dhe individuale. Jam e kënaqur sidomos për vizionin që keni dhe besoj që duhet të keni edhe në vazhdim për rritjen e kapaciteteve njerëzore”, u shpreh Ermira Pajaj, mjeke neurokiruge që do të punojë në Spitalin Memorial të Fierit. 39 mjekët e rinj që do të shpërndahen në spitalet rajonale janë të specialiteteve kardiologji, pediatri, obstetri-gjinekologji, kirurgji e përgjithshme, neurologji, neurokirurgji, anestezi-reanimacion, imazheri, mjekësi urgjence, laboratori, etj. Mjekët e rinj do të punësohen në Spitalin Memorial Fier, Spitalin Rajonal Durrës, Dibër, Gjirokastër, Shkodër, Vlorë, Kukës, Korçë, Lezhë dhe në spitalet bashkiake Pogradec, Mirditë, Sarandë.

Që prej rifillimit të specializimeve në Mjekësi në vitin 2014, më shumë se 200 mjekë specialistë me kontratë me MSHMS janë punësuar në spitalet rajonale dhe bashkiake në vend.