Pas qetësisë të pas zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, Shqipëria do të përfshihet furishëm në lëvizje të forta politike dhe institucionale në mesin e muajit qershor.

Nuk ka ndodhur ndonjëherë që këto zhvillime të jenë kaq të vrullshme dhe të përfshijnë një spektër të gjerë të politikës shqiptare dhe institucionale, e që do të shërbejnë si një busull për zhvillimet politike për të paktën katër vitet e ardhshme.

Zhvillimi i parë dhe kryesor është vendimi për shkarkimin e Ilir Metës nga posti i presidentit të Republikës. Goditja e socialistëve ndaj Metës do të jepet pikërisht më 10 qershor, ku Parlamenti do të votojë pro raportit për shkarkim për t’ia dërguar për shqyrtim Gjykatës Kushtetuese, institucioni që e thotë fjalën e fundit.

Një zhvillim i rëndësishëm ky në historinë e demokracisë së brishtë shqiptare, ku për herë të parë po kërkohet shkarkimi i një presidenti. Socialistët po nxitojnë të shkarkojnë Metën, pasi me Parlamentin aktual i sigurojnë pa problem 93 votat e duhura, e mbi të gjithë i hapin rrugë procesit pa probleme të rimandatimit të Ramës si kryeministër në shtator. Sigurisht, kjo nëse Gjykata Kushtetuese do ta cilësojë si të drejtë shkarkimin e presidentit nga Parlamenti.

Zhvillimi i dytë i rëndësishëm janë zgjedhjet për kryetarin e Partisë Demokratike. Një betejë me katër rivalë, ku dukshëm, Lulzim Basha është me i avantazhuar përballë konkurrentëve të tjerë. Zgjedhja e kryetarit të PD-së do të përcaktojë edhe linjën e PD-së, kjo në raport me zgjedhjet e marrëdhëniet me mazhorancën, por edhe faktin se si do të veprohet me Sali Berishën, liderin historik të demokratëve të shpallur si person “non-grata” nga SHBA-ve.

A do të ketë një shkëputje të PD-së me Sali Berishën, duke i kërkuar dorëzimin e mandatit të deputetit apo jo? Kjo do të jetë dilema e lidershipit të PD-së që do të dalë nga zgjedhjet e 13 qershorit. Ndërsa kryetari i ri PD-së të pas zgjedhjeve partiake do t’i duhet të përzgjedhë edhe forumet e partisë, kryesinë dhe sekretarët.

Zhvillimi i tretë lidhet me partinë politike që i ka fituar zgjedhjet dhe i duhet të qeverisë për një mandat të tretë jo të lehtë, pasi edhe numrat e deputetëve në Parlament e tregojnë këtë. Partia Socialiste do të zhvillojë Kongresin e PS-së më 13 qershor. Rama ka paralajmëruar për ripërtëritje të strukturave. Shumë prej anëtarëve të Kryesisë nuk janë zgjedhur deputetë dhe se kjo në mënyrë automatike i largon ato nga forumi më i lartë i PS-së.

Kryesocialistit Rama i duhet të ndërtojë edhe ekipin qeveritar për katër vitet e ardhshme. Ai mund ta shpallë edhe qeverinë e re në kongresin e PS-së për të marrë kështu edhe konfirmim e delegatëve. Rama ka treguar se me vendimet e tij është njeriu plot me surpriza në përzgjedhjen e ministrave, por kësaj here mund të ndikohet dhe nga vota preferenciale e deputetëve socialistë.

Të gjitha këto zhvillime të bëjnë të mendosh se Qershori do të jetë si një cunami në politikën e institucionet shqiptare për t’i hapur më pas zgjedhjes së një presidenti të ri, ku PS-ja ia ka shtrirë dorën opozitës, duke i kërkuar që ta zgjedhë ajo kreun e ri të shtetit.

Nëse opozita pranon, atëherë kjo mund të shihet edhe si startimi i ndonjë marrëveshje politike mes PS dhe PD që mund të shkojë përtej zgjedhjes së presidentit. Zhvillime këto që janë në dorë të Gjykatës Kushtetuese, e cila veç verdiktit final për fatin e Metës, ka mbi tryezë edhe një çështje tjetër atë të vlerësimit të zgjedhjeve lokale, për të cilën opozita e bojkotoi dhe nuk mori pjesë.

Nëse Kushtetuesja nuk e miraton shkarkimin e Metës, atëherë tensionet politike do të mbizotërojnë të paktën deri më 22 korrik të vitit tjetër, kur mbaron dhe mandati pesëvjeçar i presidentit.(Shqip)