Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, deklaroi sot se marrëveshja e re e ekstradimit me SHBA shënon një hap të rëndësishëm përpara në luftën kundër krimit.
Në fjalën e saj në Kuvend ku paraqiti për miratim ratifikimin e traktatit të ekstradimit ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjonaj tha se me anë të këtij traktati ofrohen instrumente të rinj për të luftuar me efikasitet edhe format e reja të kriminalitetit dhe për të mos lënë asnjë shteg në ndjekjen penale dhe forcimin e instrumenteve për vënien përpara drejtësisë të autorëve përgjegjës për kryerjen e veprave penale në të dy vendet tona.
“Ky traktat që vjen pas 87 vjetësh, zëvendëson Traktatin e parë dy palësh të ekstradimit, të nënshkruar në vitin 1933, i cili shënoi hyrjen në fuqi në vitin 1935, pas ratifikimit dhe nënshkrimit të Protokollit të Shkëmbimit nga Faik Konica, Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në SHBA në atë kohë dhe Cordell Holl, Sekretarit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara. Nënshkrimi i këtij traktati të ri të ekstradimit midis dy vendeve tona në 22 Dhjetor 2020, së bashku me Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara zonjën Yuri Kim, i hapi rrugë vijimit të procedurës për ratifikimin e tij në Kuvend”, – nënvizoi Gjonaj.
Ministrja Gjonaj u shpreh se “nëpërmjet këtij traktati, krijohet kuadri i ri rregullator për aplikimin e ekstradimit ndaj shtetasve amerikanë dhe atyre shqiptarë, duke zgjeruar kështu dhe përditësuar kategoritë e veprave penale për të cilat mund të kërkohet ekstradimi nga palët, mbi bazën e parimit të kriminalitetit të dyfishtë, duke përfshirë tashmë edhe veprat penale më të reja si ato me karakter financiar, tatimor, doganor, korrupsionin, veprat mjedisore, veprat në fushën informatike dhe çdo vepër që dënohet me heqje të lirisë për një periudhë maksimale prej më shumë se një viti apo për një dënim më të rëndë, me përjashtim të veprave penale me karakter politik”.
Sipas saj, traktati i ri lehtëson funksionimin e procesit të ekstradimit ndërmjet palëve duke përfshirë ekstradimin në rastet e ndjekjes penale, në vënien në ekzekutim të vendimit të gjykatave si dhe vuajtjen e një dënimi për një vepër penale të ekstradueshme.
“Traktati i ekstradimit shërben si një sinjal i qartë dhe i vendosur për të garantuar bashkëpunimin sa më të efektshëm ndërmjet dy shteteve tona në luftën kundër krimit, ndaj të gjithë shkelësve të ligjit, për të mos lejuar asnjë shmangie të zbatimit të ligjit penal në SHBA apo në Shqipëri. Ky traktat është rezultat i një bashkëpunimi tejet të ngushtë mes dy qeverive tona po ashtu si dhe i një procesi pune të vështirë dhe të gjatë mes përfaqësuesve teknikë te grupeve negociatore dypalëshe, përfshirë këtu edhe Prokurorinë e përgjithshme”, – tha Gjonaj.
Ministrja Gjonaj shtoi se “qeveria shqiptare dhe kjo maxhorancë ka pasur vullnetin e palëkundur në drejtim të zbatimit të ligjit dhe forcimit të shtetit të së drejtës, dhe traktati i ri i ekstradimit, është një dëshmi e qartë, por ashtu siç është edhe provë e mbështetjes së pakursyer të mikut dhe aleatit tonë strategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në realizimin e këtij objektivi të përbashkët”.
“Mbështetja politike dhe teknike e SHBA për shtetin shqiptar ka qenë dhe vazhdon të jetë në vazhdimësi, një mbështetje e pakushtëzuar për konsolidimin e shtyllave të shtetit të së drejtës, për reformën në drejtësi, për luftën kundër korrupsionit dhe luftën kundër krimit. Është rasti ti shpreh një mirënjohje të veçante për angazhimin e dedikuar në këtë proces ambasadores të SHBA-ve, Yuri Kim, drejtueses së OPDAT dhe stafit të tyre. Historia ja rezervoi nderin këtij Kuvendi për të ratifikuar Traktatin e ekstradimit, i konsideruar i tillë jo vetëm për moshën e traktatit që zëvendësojmë, por edhe për cilësinë dhe rezultatet shumë efikase që presim të sjellë”, – theksoi Gjonaj.
Ministrja Gjonaj ftoi deputetët të votojnë unanimisht ratifikimin e traktatit të ri të ekstradimit midis qeverisë së ShBA-ve dhe qeverisë së Republikës së Shqipërisë.