Kryeministri Edi Rama ishte sot në kantierin e rrugës Sukth – Maminas ku po punohet për zgjerimin e trasesë, asfaltin, trotuaret dhe ndriçimin.
Kryeministri theksoi se ky segment do të lehtësojë trafikun gjatë sezonit turistik në aksin Maminas – Gjiri Lalzit, ndërkohë që në gjithë zonën janë 3 segmente ku po punohet paralelisht.
Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako tha se janë 6.3 km rrugë ku po kryhet rehabilitimi i dy shtresave asfaltike duke filluar nga autostrada.
Sipas saj, “ky investim do t’i shërbejë lehtësimit të fluksit gjatë sezonit turistik pasi shkarkon qarkullimin e rrugës së Maminasit deri në Gjirin e Lalzit”.
Sako informoi se rruga mbaron për 1 muaj, ndërsa theksoi se në gjithë aksin e saj është bërë zgjerimi në 6 metra i rrugës ekzistuese që ka qenë më e ngushtë.
“Aty ku ka zonë urbane rruga do të pajiset me trotuar dhe sinjalistikë për qëndrim autobusi. Po ashtu rruga do të ketë sinjalistikë ndihmëse në gjithë aksin”, tha Sako.
Kryebashkiakja e Durrësit tha se rruga do t’i vijë në ndihmë komunitetit të zonës por edhe pushuesve që frekuentojnë këtë zonë turistike.