Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka bërë me dije se ditën e sotme vjen dërgesa e radhës e vaksinave Pfizer, prej 11,700 dozash, nga kontrata e qeverisë shqiptare me kompaninë Pfizer dhe nga mbështetja e Bashkimit Europian.
“Janë më shumë se 740 mijë vaksina të ardhura në Shqipëri deri më sot, ndërkohë që sot priten edhe 11,700 doza të vaksinës Pfizer nga dy kontratat që kemi, nga kontrata me Pfizer priten 7020 doza dhe kontrata me BE mbi 4 mijë doza”, tha Manastirliu.
Duke ndjekur nga afër procesin e vaksinimit për punojësit e fabrikave me material porositësi, Manastirliu deklaroi se vaksinimi po vijon me ritme të larta dhe në total janë kryer mbi 600 mijë vaksinime.
“Janë vaksinuar deri tani më dozën e parë më shumë se 6 mijë punojës të fasonerive dhe po vijon me ritme të shpejta vaksinimi kudo nëpër Shqipëri. Ritmet e vaksinimit në vend janë ritme të larta, pra vijon intenisteti i vaksinimeve ditore. Kemi vaksinuar tashmë më shumë se 600 mijë qytetarë, ndërkohë që presim në vijimësi dozat e vaksinave, sipas kalendarit të lëvirimit të kontratave”, nënvizoi Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë foli për lehtësim gjatë sezonit të verës, në varësi të situatës që po vlerësohet në dinamikë.
“Do të intensifikojmë vaksinimin e kombinuar. Grupet +60 vjeç dhe të sëmurët kronikë po vijojnë të vaksinohen kudo në qendrat shëndetësore dhe në pikat e përqëndruara të vaksinimit dhe sigurisht edhe grupet prioritare, të cilat janë në planin tonë, siç janë edhe punonjësit e operatorëve turistikë, në mënyrë që të kemi sa më shumë të vaksinuar, për të mbërritur në një lehtësim padyshim përgjatë periudhës së verës, gjithmonë duke vlerësuar situatën epidemike, e cila vlerësohet në dinamikë nga Komiteti ynë i Eksepertëve”, tha Manastirliu.
Vaksinimi masiv vijon me kalendar të kombinuar, për personat mbi 60 vjeç dhe punonjës të shërbimeve kritike si punonjës të fasonerive, operatorëve turistikë, etj. Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 601,291 doza të vaksinës kundër covid19, prej të cilave mbi 479,020 vaksinime janë kryer për persona mbi 60 vjeç.