Pas propozimit të 50 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë për shkarkim të Presidentit Meta është mbledhur sot Komisioni Parlamentar i Ligjeve. Komisioni do të marrë në shqyrtim kërkesën dhe mundësinë e ngritjes së një komisioni hetimor.
Në mbledhje ka folur edhe nënkryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi, e cila ka bërë një parashtrim të fakteve që sipas saj vërtetojnë shkeljen e rëndë që Meta i ka bërë Kushtetutës.
“Presidenti i Republikës është simboli i unitetit të kombit, ai nuk duhet të shkaktojë konflikte apo të përçajë kombin. Atij nuk i lejohet të ushtrojë kompetenca të tjera përveç atyre që i njihen shprehimisht në Kushtetutë apo që i jepen me ligj. Presidenti i Republikës ka cenuar qoftë nenin 92 dhe atë 94 të Kushtetutës. Këto përbëjnë shkelje të rënda dhe flagrante të Kushtetutës. Këto sjellje kanë sjellë ndasi sociale dhe politike. Presidenti ka mbajtur hapur një anë politike gjatë gjithë fushatës zgjedhore. Ai në mënyrë të vazhdueshme ka bërë thirrje për dhune”, tha Hysi, e cila nënvizoi gjithashtu se grupi i firmëtarëve vlerëson se këto akte janë në kundërshtim me kornizën ligjore dhe etike.
Sipas saj në të gjitha daljet politike Presidenti ka mbajtur qëndrim tërësisht të njëanshëm politik në favor të opozitës.