Shqipëria dhe Kosova intensifikojnë më tej bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes. Ministri Niko Peleshi dhe homologu i tij, Armend Mehaj nënshkruan në Prishtinë marrëveshjen e bashkëpunimit.
Gjatë takimit të përbashkët, ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi e garantoi ministrin e Kosovës për mbështetjen e pakursyer të Shqipërisë si në rrafshin politik edhe në atë teknik. “E gjithë eksperienca që Shqipëria ka në rrugën e integrimit të plotë në NATO do të vijojë të përcillet e plotë tek vëllezërit tanë kosovarë”, tha pas takimit, ministri Niko Peleshi.
Ministri Peleshi përgëzoi Forcat e Sigurisë së Kosovës për angazhimin në misionin e parë paqeruajtës jashtë vendit, krahas kolegëve amerikanë në Kuvajt.
Teksa foli për stërvitjen më të rëndësishme “Defender Europe 2021”, ministri Peleshi u shpreh se është një lajm shumë i mirë për të dy vendet që SHBA dhe partnerët e NATO-s dhanë me përzgjedhjen për zhvillimin e kësaj stërvitjeje.
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi u shpreh se anëtarësimi i plotë i vendeve të rajonit në Aleancën e NATO-s do të thotë më shumë siguri.
“Shpresojmë fort se ka ardhur koha që, Republika e Kosovës me ndihmën e vendeve aleate, partnere dhe mike të mundë të gjitha barrierat që e pengojnë atë të ecë përpara në rrugëtimin e pandalshëm euro-atlantik. Integrimi i plotë i Ballkanit në NATO do të thotë më shumë siguri, stabilitet dhe demokraci jo vetëm për këto vende, por edhe për Aleancën. Për më tepër integrimi është një ëndërr e përbashkët e popujve të Ballkanit, të cilët meritojnë të shpërblehen për sakrificat e tyre”, u shpreh ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë Niko Peleshi.
Në përfundim të takimit ministri Peleshi e ftoi homologun e tij për një vizitë në Tiranë, ndërsa i shprehu angazhimin personal për hapjen e një kapitulli të ri dhe shumë intensiv të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes që do të vijojë me implementimin e aktiviteteve të përbashkëta të planifikuara më parë.
Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj u shpreh se sfidat në mjedisin tonë janë të ngjashme në fushën e sigurisë.
“Si dy vëllezër diskutuam për interesa të përbashkëta në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes të dy vendeve tona. Roli i Shqipërisë është shumë i rëndësishëm në zhvillimin e përgjegjësive të vendeve tona dhe në arritjet e deritanishme në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes së Kosovës. Sfidat në mjedisin tonë të sigurisë janë të ngjashme dhe objektivat tona strategjike janë të përafërta”, theksoi ai.