Shqipëria po shihet nga turistët e huaj jo vetëm si një destinacion turistik që ofron bukuri të rralla, por edhe si vend i sigurt pas nisjes së vaksinimit masiv të popullatës.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se gjatë katërmujorit të parë të 2021-shit, numri i shtetasve të huaj që hynë në Shqipëri është rritur me 1,3 herë, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020, duke shkuar në 754.796 në total.
Kosova dhe Zvicra janë dy vendet që shënuan rritjen më të lartë të turistëve, me mbi 2 herë. Nga Kosova drejt vendit tonë kanë hyrë përgjatë 4-mujorit, 381.389 shtetas, ndërsa nga Zvicra e vizituan Shqipërinë 6.510 shtetas, nga 3.234 shtetas që e vizituan për të njëjtën periudhë të 2020-ës.
Europa është burimi kryesor i turistëve që vizitojnë Shqipërinë. Megjithatë së fundmi turistë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, apo Azia dhe veçanërisht Kina, kanë shënuar një interes domethënës rritës, duke inkurajuar kështu indirekt zhvillimin e nënsektorëve të tjerë të turizmit, sidomos turizmin historik dhe atë kulturor.
Shqipëri është një destinacion turistik, i cili ka potencial më shumë se vetëm turizmin e detit dhe të rërës. Dhe qeveria po harton strategji për ta mbajtur hapur në 12 muajt e vitit.
Për këtë po punohet që përveç ofertës turistike të qyteteve, të prezantohet edhe oferta turistike e zonave rurale, kulinaria shqiptare, agroturizmi dhe turizmi malor.
Përveç lehtësive fiskale të ndërmarra, qeveria ka përgatitur edhe një paketë mbështetëse për të gjithë emigrantët që duan të vijnë e të investojnë në shtëpinë e prindërve apo gjyshërve, duke e kthyer atë në një bujtinë. Për këtë investim qeveria jep një grant prej 5 mijë eurosh.
Edhe përgjatë vitit 2020, që ishte një vit i vështirë për shkak të kufizimit të lëvizjeve për të parandaluar përhapjen e COVID-19, sektori i turizmit performoi më mirë sesa pritej, duke shkuar në 55 % të kapacitet të tij, nga 10 % që llogaritej në fillim të sezonit.
Ajo që në e kemi cilësuar si “turizmi patriotik” dha rezultat dhe sektori i bëri ballë goditjes nga COVID-19.
Turizmi shihet si një burim i rëndësishëm i gjenerimit të të ardhurave dhe krijimit të vendeve të punës. Gjatë vitit 2020 shpenzimet e të huajve për udhëtime në Shqipëri llogariten 989 milionë euro.
Ndërsa të ardhurat nga udhëtimet në vitin 2019, viti më i mirë i turizmit në vend, ishin 2.1 miliardë euro.