Vetëm Lulzim Basha e ka talentin, për të shndërruar në qesharake, çdo kauzë serioze të sistemit politik të vendit. Për ta shndërruar në komedi, çdo çështje që meriton seriozitetin më të madh, në skenën demokratike shqiptare. Për ta shndërruar në parodi, skeç dhe barsaletë banale, simfoninë më të bukur që është shkruar ndonjëherë, në partiturat e librit themeltar të shtetit.

Gjithkush që ka sytë në ballë e që do vërtetë të shohë, ka qenë dëshmitar i një metamorfoze të tillë. Lulzim Basha po e shndërron aksionin për votën e lirë në Shqipëri, në një nga gallatat më të paimagjinueshme brenda partisë së tij.

Këtë nuk po e thonë as kundërshtarët e tij përballë, në PS apo brenda mazhorancës qeverisëse. Nuk po e thonë, as mediat e opinionistët kritikë me të, me PD e opozitën në përgjithësi. Por po e thonë gjithmonë e më shumë zëra breda gardhit të SHQUP, forumeve drejtuese të PD e pranë Lulzim Bashës vetë.
Grupi që i ka kërkuar Bashës dorëheqjen pas 25 prillit, ka ngritur një serial akuzash për procesin zgjedhor në PD që do kulmojë më 13 qershor me votimin për mandatin e Kryetarit. Mbledhja e Këshillit Kombëtar të PD, që kishte si temë masakrën elektorale të Edi Ramës, në fakt paracaktoi masakrën elektorale të Lulzim Bashës,- thuhet në deklaratën e grupit “Për PD”.

Në vend të analizës së thellë për zgjedhjet, marrjen e përgjegjesive për humbjen e dhënien e dorëheqjes, Lulzim Basha vendos hapjen e zgjedhjeve të parakohëshme në PD. Kjo dëshmon se prioritet për të është karrikja e tij, e për këtë nuk pret as vendimet gjyqësore dhe as çertifikimin e zgjedhjeve, por vetëm çertifikimi i rizgjedhjes së tij si kryetar i PD.

Masakra zgjedhore brenda PD vijon me emërimin në mënyrë të njëanshme të komisionit zgjedhor, i cili do përcaktojë kriteret e pranimit të kandidaturave. Lulzim Basha do emërojë kundërshtarët e tij. Listat e anëtarësisë janë fiktive dhe mungon totalisht transparenca në të gjithë procesin që po zhvillohet.
Si mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme në PD kur njëra palë kontrollon Komisionin e Zgjedhjeve, listat e anëtarësisë dhe kriteret e pranimit të kandidatëve?,- pyesin kritikët e Bashës. Por ata askush nuk i dëgjon. As Kryetari. As ish Kryetari. As strukturat. As media opozitare. As propaganda. As rrjetet sociale. Sepse për ta më e rëndësishme është farsa sesa standadi i zgjedhjeve.

Kur vjen puna tek Edi Rama dhe PS, janë të njëjtët, që shohin edhe atë që nuk ekziston. Ndërsa kur është fjala për Lulzim Bashën dhe opozitën, çirren për votën e zgjedhjet e lira dhe bëjnë sikur nuk po e shohin masakrën që po realizohet para syve të tyre brenda PD. Kuptohet sesa u hapet barku për parimet dhe standardet e demokracisë. Me to ata nuk e mbajtën dot gazin në TV, duke e bërë komedinë e tyre virale!

Lulzim Basha po dëshmon, se është jo vetëm një humbës serial përballë PS dhe Edi Ramës, por edhe një komik i madh. Ai ka aftësinë që gjërat më serioze, ti shndërrojë në farsat më të paimagjinueshme, kur vjen fjala për hallin e tij. Për karrierën e tij. Për kolltukun e tij. Për postin e tij. Për vulën e tij.

Alpenews.al