Në kuadër të Ditëve të Europës, ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca tha se vendi ynë është më pranë se kurrë për fillimin e negociatave dhe se ka bërë hapa të rëndësishëm, përpara, në luftën kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave.
Ambasadori i BE-së ishte në Korçë në kuadër të turit të ndërmarrë për “Ditët e Europës.”
“Është kënaqësi të takohemi me të ardhmen e Shqipërisë dhe kjo e ardhme e Shqipërisë janë të rinjtë e saj. Gjatë këtij rrugëtimi dëshirojmë të bisedojmë me njësitë e qeverisjes dhe me krerët e bashkive për punën që duhet të bëjnë dhe për të ardhmen për procesin e integrimit drejt BE, pasi duhet të bëjnë një punë të madhe dhe ne jemi në një moment të rëndësishëm dhe nuk kemi qenë kurrë më parë më pranë fillimit të negociatave. Ne po tregojmë projektet, programet që janë financuar nga BE, si ato të IPARD-t, apo në kuadër të rindërtimit pas tërmetit. Është një moment i rëndësishëm që gjatë këtyre tre javëve që t’u tregojmë shqiptarëve që Europa është këtu”, tha ai.
Soreca u pyet edhe se kush ishte përgjegjës për vonimin e integrimit të Shqipërisë në BE.
“Do t’u them se çfarë më ka thënë një mik i ngushtë shqiptar para disa javësh. Ky miku im është profesor, është në moshë dhe më tha se që prej 1991 Shqipëria ka ecur përpara vërtet shumë’, por ai shtoi se vajza e tij mendon se ky ritëm i avancimit nuk ka qenë kaq i shpejtë. Shqipëria ka ecur përpara vërtet shumë, është shumë pranë atij çasti për fillimin e negociatave dhe ne mendojmë se kjo kohë ka ardhur. Përsëris një gjë që e kam thënë edhe në të shkuarën: BE nuk ka për të qenë i plotë në rast se në të nuk do të jenë shtetet e Ballkanit Perëndimor. Ndaj mendoj se Shqipëria dhe vendet e BP do të bëhen pjesë e BE-së”, deklaroi Soreca.
Soreca nënvizoi se Reforma në Drejtësi po krijon shumë “Falcone” në Shqipëri.
“Dita e sotme është e veçantë. Kjo për arsye se si sot 29 vjet më parë u vra gjyqtari Falcone në Itali. Ishte personi që krijoi konceptin e ndjekjes së parasë. Ata vranë Falconen por nuk mundën të vrisnin idetë e tij dhe parimet që ai la. Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm përpara sa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave. A mjafton kjo punë? Jo, ka shumë punë për të bërë dhe ne do ta ndihmojmë Shqipërinë, sidomos me konceptin e ndjekjes së parave. Mund tu them se do t’ja arrijmë, do t’ja dalim mbanë. Reforma në drejtësi po krijon shumë Falcone në Shqipëri”, u shpreh ai.
Shpallja “non grata”e Berishës/ Soreca: Ky është një vendim i qeverisë së SHBA, e respektojmë plotësisht
Nga Korça, ambasadori i BE-së u pyet edhe për vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit për të shpallur “non grata” ish-presidentin dhe ish-kryeministrin Sali Berisha.
Ambasadori Soreca tha se është një vendim i qeverisë së SHBA, dhe se e respekton atë.
“Jo nuk kam asnjë koment ky është një vendim i qeverisë së SHBA, e respektojmë plotësisht, ndaj unë nuk kam një koment për të bërë për këtë”, tha Soreca.