Vëzhguesit e qiellit në unazën e Paqësorit do të mund të ngrenë sytë nga qielli këtë mbrëmje, për të parë një super hënë të përgjakur, shumë të rrallë, e kjo në një kohë me një eklips të jashtëzakonshëm hënor. Eklipsi i parë total i hënës në dy vjet, do të ndodhë në të njëjtën kohë në të cilën hëna është në pikën më të afërt me tokën në atë që astronomët thonë se do të jetë një spektakël që mund të shihet një herë në një dekadë.
Nëse qiejt janë të pastër, të gjithë ata që jetojnë në Paqësor, nga Australia deri në pjesën qendrore të Shteteve të Bashkuara, do të mund të shohin një hënë gjigande, të shndritshme dhe ngjyrë portokalli. Eventi do të regjistrohet mes orës 23:11 minuta në Sidney dhe para agimit në Los Angeles, kur hëna do të jetë plotësisht nën hijen e tokës.
Hëna do të errësohet dhe do të bëhet më pas e kuqe, si rezultat i rrezeve të diellit që thyhen mbi kurorën e tokës dhe reflektohen në sipërfaqen e hënës, duke e ngjyrosur satelitin e vetëm të tokës në një ngjyrë si ajo e perëndimit të diellit… Ndryshe nga eklipsi diellor, fenomeni do të jetë i dukshëm me sy të lirë. Ky eklips do të jetë i ndryshëm sepse ndodh gjatë super hënës, kur kjo e fundit është në një distancë prej rreth 360 mijë kilometrash larg nga toka. Kjo bën që ajo të shfaqet 30 për qind më e shndritshme dhe 14 për qind më e madhe se zakonisht.