Lehtësimi i tregtisë dhe krijimi i një klime të favorshme për biznesin është një prioritet i administratave doganore të Shqipërisë dhe Kosovës.

Gjatë një takimi bilateral midis krerëve të doganave të dy vendeve, Genti Gazheli dhe Agron Llugaliu, organizuar në Morinë, ku ishte i pranishëm dhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, u ra dakord që të rritet bashkëpunimi në disa fusha.

Drejtori i përgjithshëm i Doganave Shqiptare, Gent Gazheli vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm, ndërsa shprehu gatishmërinë për t’a çuar më tej këtë nismë që tashmë është konkretizuar me projekte të përbashkëta.

Ky bashkëpunim do të intensifikohet në shkëmbimin e informacionit dhe në ngritjen e një grupi të përbashkët teknik për lehtësim të procedurave për operatorët ekonomikë të të dy vendeve.

Ndërsa kreu i Doganave të Kosovës, Agron Llugaliu, e konsideroi këtë si një lehtësi për biznesin shqiptar të të dy vendeve, duke çuar përpara vullnetin e dy qeverive.

Lehtësitë e procedurave në dy sistemet doganore do të ulin, jo vetëm kohën e procesimit për biznesin, por edhe reduktim të kostove për to.

Gjithashtu krerët e dy administratave doganore, zhvilluan dhe një takim me përfaqësues të biznesit, ku u njohën nga afër me shqetësimet e tyre në lidhje me procedurat doganore.

Angazhimi i shtuar dhe vullneti i të dy administratave doganore pritet të sjellë një qasje ndryshe për sipërmarrjet e të dy vendeve.