Tifozët e Atletico Madrid kanë përjetuar të shtunën një ditë të paharrueshme, pasi skuadra e tyre fitoi titullin numër 11 në historinë e futbollit spanjoll pikërisht në ndeshjen e fundit të sezonit kundër Valladolid, që e mposhtën 1-2 me përmbysje.
Me të mbaruar ndeshja tifozët janë grumbulluar në Madrid në Plaza de Santa Ana, ku festuan me orë të zgjatura. Madje pjesë e tyre u bënë edhe futbollistët, të cilët për një moment harruan të gjitha këshillat për të shmangur kontaktet me njerëz përtej skuadrës.
Një ditë kaq e lumtur në fund pati një lajm tepër të keq, pasi një fëmijë 14-vjeçar humbi jetën teksa festonte. Së bashku me disa bashkmoshatar të tjerë ai ishte në një furgon dhe po valëviste flamurin e klubit kur u fut në parkingun e sheshit. Fatkeqësisht, teksa qëndronte në dritare ai u përplas me kokë në murin e godinës dhe për rrjedhojë humbi jetën.
Përsa i përket skuadrës në fund të ndeshjes me Valladolid kishte lot gëzimi në sytë e tyre. Për t’u veçuar ishte Luis Suarez, sulmuesi që u bë protagonist absolut i titullit. Sulmuesi 34-vjeçar është shprehur:
‘Pasi më larguan si të padobishëm nga Barcelona Atletico Madrid hapi dyer për mua. Ishte një periudhë ku gruaja dhe fëmijët e mij kaluan jo pak vështirësi. Gjithsesi tani mendoj se Messi do jetë krenar për mua, sepse ne jemi miq’.