UEFA ka zgjedhur sot atë që mund të cilësohet si ekipi ideal i këtij edicioni në Ligën e Kampioneve, me 23 emra të mbledhur mes skuadrave të ndryshme që shkëlqyen në këtë edicion me lojën e tyre.

Ashtu siç pritej, skuadrat finaliste kishin më shumë pjesëtarë në këtë përzgjedhje, duke konfirmuar edhe një herë dështimin e ekipeve italiane që si rrallëherë kanë mbetur pa përfaqësues.

Çelsi me 7 futbollistë është skuadra më e përfaqësuar, ashtu siç i takon ekipit kampion, me Mançester Sitin që rreshtohet në vendin e dytë me 5 lojtarë.

Surpriza më e veçantë e këtij rreshtimi ishte Oliveira i Portos, futbollisti i cili eliminoi Juventusin me golat e tij dhe ishte një nga elementët më cilësorë të portugezëve në rrugëtimin e tyre të këtij edicioni.

EKIPI IDEAL

Portierë: Kurtua (Real Madrid); Ederson (Mançester Siti); Mendi (Çelsi).

Mbrojtës: Alaba (Bajern Mynih); Azpilikueta, Çilluell, Rudiger (Çelsi); Dias (Mançester Siti); Markinjos (PSG).

Mesfushorë: Zhorzhinjo, Kante, Maunt (Çelsi); De Bryjn, Foden, Gyndogan (Mançester Siti); Oliveira (Porto) Modriç (Real Madrid).

Sulmues: Mesi (Barcelona), Levandovski (Bajern Mynih); Haland (Borusia Dortmund); Mbape, Nejmar (PSG); Benzema (Real Madrid).