Që prej nisjes së vaksinimit masiv të popullatës, në vendin tonë janë imunizuar plotësisht një pjesë e madhe e grupmoshës mbi 60 vjeç dhe kategoritë e riskuara. Përgjegjësja e planit kombëtar të vaksinimit në ISHP, Erida Nela shprehet se përveç kategorive të mësipërme po vaksinohen kryesisht me Pfizer edhe personat me sëmundje specifike.

“Në vaksinimet që po bëjmë së fundmi me individë që janë të sëmurë, që kanë sëmundje specifike sipas listimeve që kanë bërë mjekët e familjeve. Po injektohet vaksina Pfizer, por kemi dhe vaksinën Sputnik”.

Nela tha se të gjithë qytetarët që marrin të dyja dozat e vaksinës anti-covid pajisen me kartelën e vaksinimit në portalin e-Albania.

“Të dhënat hidhen në sistemin informativ të vaksinimit me të gjitha detajet e individit duke u futur tek aplikacioni e-Albania dhe mund të kërkojnë kartelën e vaksinimit, por aty del vetëm nëse i kanë bërë të dyja dozat. Është një kartelë që mund të shkarkohet”.

Me ritmet e shpejta të procesit të vaksinimit, Ministria e Shëndetësisë synon që brenda një muaji të jenë imunizuar plotësisht 1 milionë qytetarë.