Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, priti në një takim Arqipeshkvin Metropolitan të Tiranës dhe Durrësit, Sh. T. Mons, George Frendo.

Ministrja Xhaçka vlerësoi rolin e Selisë së Shenjtë dhe Kishës për nismat dhe realizimin e projekteve të ndryshme gjatë periudhës së tranzicionit në Shqipëri, teksa shprehu vullnetin për krijimin e mundësive të mëtejshme për shkëmbim të përvojave në fushën e restaurimit dhe konservimit të trashëgimisë kulturore dhe vendeve fetare.

Sipas saj, bashkëpunimi dhe dialogu i frytshëm i autoriteteve shqiptare me komunitetet fetare dhe komunitetin katolik po i shërbejnë kohezionit midis institucioneve laike dhe fetare dhe komunitetit.

“Marrëdhëniet e Shqipërisë me Vatikanin janë të rëndësishme dhe shkojnë përtej marrëdhënieve institucionale; ato janë shpirtërore dhe frymëzim për shqiptarët.
Siç theksoi Papa Françesku gjatë vizitës së tij në 2014, Shqipëria është një vend i vëllazërisë fetare. Bashkëjetesa harmonike midis feve të ndryshme është një trashëgimi historike. Në këtë drejtim, vendi ynë shërben si një model unik i harmonisë ndërfetare, të cilën ne punojmë në mënyrë aktive për ta ruajtur dhe promovuar”, u shpreh ministrja gjatë takimit.