Ish kreu i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Lisandër Hoxha, në një intervistë të dhënë nga studio-ja e lajmeve të televizionit FaxNews ka analizuar procesin zgjedhor të brendshëm në PD. Hoxha shprehet se mungesa e garës si dhe mungesa e debatit të brendshëm politik në PD, ka bërë që demokratët të zihen me njëri tjetrin tashmë duke rrezikuar ta kthejnë Partinë Demokratike në një partiçkë.
Hoxha thekson se përplasja e platformave garuese dhe një përballje reale mes kandidatëve do të sillte një fuqizim të PD-së dhe rikthimin e besimit të qytetarëve ndaj kësaj force politike.
“Unë them këtu nuk ka garë se s’ka dashur kush të dëgjiojë përplasje platformash. Çfarë bëjmë tani? Zihemi me njëri-tjetrin, ai thotë një fjalë dhe ky i thotë një fjalë dhe përfundimi është që PD-ja ekspozon një konflikt, nga i cili nuk del dot dhe do e bëjë PD-në partiçkë, nëse nuk hapim debatin e brendshëm politik. Debati nuk bëhet në studio bëhet në organet e partisë. Mund të bëhet dhe i hapur, të vijnë dhe qytetarët, të cilët mund të na shajnë, mund të thonë na morët në qaf si ju besuam. Duhet t’i dëgjojmë këta njerëz. Duhen dëgjuar dhe studentët dhe të rinjtë e forumit rinor që janë arrestuar në oponencën kundër kësaj qeverie.
E dini ju sa njerëz jetojnë me ndihmë ekonomike në këtë vend, që marrin nga shteti si ndihmë një thes me miell. Meritohet të jetohet pa dinjitet në këtë vend të bekuar nga zoti. Meritojmë ne të rinjtë të jetojmë me më pak të ardhura se të rinjtë maqedonas dhe Malit të Zi që kanë 19 mijë dollarë të ardhura për frymë, kur kanë qenë prapa nesh në 2010-ën. Meritojmë ne këtë qeveri dhe këtë opozitë”, tha Hoxha.