Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Peter Zingraf deklaroi sot se Shqipëria i ka plotësuar kushtet për hapjen e negociatave.

Ambasadori i Gjermanisë në vendin tonë Peter Zingraf ka folur nga Maliqi për çeljen e negociatave me BE, teksa nuk ka dashur të komentojë vendimin e DASH për ish-kryeministrin Sali Berisha.

Zingraf ka vizituar një projekt të KFW gjermane për trajtimin e mbetjeve duke thënë se projekte të tilla do vijojnë në rang vendi.

“Europa është këtu. Ne po vizitojmë projekte që janë investuar nga Gjermania. Unë ndodhem këtu, jo për të çelur diçka, por për të parë një projekt mjaft të suksesshëm. Si projekt u çel para 3 vitesh e gjysmë në praninë e paraardhëses sime dhe të kryeministrit. Asokohe ne çelëm një koncept projekt për trajtimin e mbetjeve, i cili ishte një koncept i integruar i trajtimit të këtyre, të cilat mblidheshin nga 6 komuna pranë Maliqit. Projekti është realizuar me mbështetjen e KFW dhe ka qenë mjaft i suksesshëm. Është një projekt që iu kushtohet qytetarëve, por jo vetëm atyre është në mbrojte të mjedisit dhe në të mirë të turizmit të këtij rajoni mjaft të bukur që gjendet mes liqenesh të mrekullueshme dhe malesh të mrekullueshme. Ne do të vazhdojmë të angazhohemi pikërisht në këtë kontekst edhe në kuadër kombëtar, pra në të gjithë vendin. Kuvendi ka miratuar një plan kombëtar në këtë sektor dhe ne, Gjermania, së bashku me Zvicrën, por edhe me vendet e BE, do të angazhohemi në një projekt të përbashkët, për të cilin pikërisht ky projekt do të jetë një shembull mjaft i mirë”, tha Zingraf.

I pyetur për shpalljen “non grata” në SHBA të ish-kryeministrit, Sali Berisha nga Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, Zingraf tha se, “jo nuk kam asnjë koment, jam këtu për të vizituar këtë projekt të rëndësishëm”.

Për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, ai shprehu vullnetin e qeverisë federale për të cilën kushtet nga Shqipëria janë plotësuar.

“Unë shpresoj që bisedimet e anëtarësimit të nisin sa më shpejt të jetë e mundur. Ky është një proces që kërkon mjaft punë, bashkëpunimin e gjithë aktorëve të përfshirë. Projekte të tilla çojnë në këtë drejtim, në arritjen e standardeve europiane”, tha ai.

“Ekspertët gjykojnë që sa i përket përshtatjes së një vendi me ato të standardeve të BE-së 2/3 e punës duhet të realizohen në nivel lokal dhe vetëm 1/3 realizohet në nivel qendror. Për këtë arsye shumë varet nga ajo që realizohet në nivel lokal”, theksoi Zingraf.

“Më lejoni që në emër të qeverisë federale për të cilën mua më lejohet të flas në këtë pozicion në të cilin jam. Qeveria federale ka thënë në mënyrë të përsëritur që kushtet për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë janë plotësuar tanimë. Të njëjtën gjë konfirmoi dhe KE. Unë jam personalisht optimist pikërisht për çeljen e negociatave. Por duhet pasur edhe mirëkuptimi që ky është një proces që kërkon dakordësinë e të gjitha vendeve anëtare të BE. Ministri i Jashtëm federal është optimist gjithashtu që si me Shqipërinë, si me Maqedoninë e Veriut këto negociata do të nisin së shpejti”, tha Zingraf.