Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, gjatë dy ditëve të fundit në Bruksel ka realizuar takime me përfaqësuesit e lartë të Komisionit Europian dhe të Parlamentit Europian si edhe takime me disa ministra të punëve të Jashtme të vendeve anëtare të BE-së.

Zaev është shprehur i qartë se identiteti maqedonas nuk është për tu negociuar, ndërsa ka theksuar: “Ne kemi edhe krenari edhe identitet personal. Krenarinë mund ta përforcojmë ose ta qetësojmë, por identiteti dhe gjuha maqedonase janë të paprekshme për ne, një dhe të vetme, të pandryshueshme”.

Me identitetin maqedonas shton ai, nuk guxon dhe nuk do të luajë as qeveria ime, as asnjë qeveri tjetër, e as më pak një shtet tjetër ose Union në të cilin nuk jemi anëtarë.

“Këtë javë jemi në agjendë pune intensive evropiane në relacionin Shkup – Bruksel- Madrid – Athinë. Sot ju drejtohem nga Misioni i Maqedonisë së Veriut, këtu nga zemra e Bashkimit Evropian, nga Brukseli.

Kishim takime intensive me përfaqësuesit më të lartë të institucioneve evropiane dhe u siguruam që edhe në Komisionin Evropian edhe në Parlamentin Evropian edhe në cilindo institucion tjetër evropian, përfaqësuesit kyç e dinë dhe e kuptojnë që identiteti ynë maqedonas nuk është për t’u negociuar dhe asnjëherë nuk do të jetë për t’u negociuar.

Fon der Layen, Varheley, Sasoli, Borel, Timermans, Lajçak, Veber, të gjithë liderët evropian dhe përfaqësues e dinë dhe e kuptojnë pozitën tonë, deri sa dikush përpiqet dhe atë mund ta shohim se përpiqet, gjuhën maqedonase dhe identitetin maqedonas ta vendos në tryezë për bisedime, ne nuk do të negociojmë.

Thamë qartë dhe zëshëm dhe e përsëritëm, largoni secilin diskutim për gjuhën maqedonase dhe identitetin maqedonas nga tryeza e bisedimeve në Bruksel – pas kësaj mund të vazhdojmë të diskutojmë për ardhmërinë tonë evropiane”, ka thënë Zaev.