Skema Kombëtare e mbështetjes në Bujqësi 2021 e financuar nga buxheti i shtetit adreson mbështetje të drejtpërdrejtë për projektet në agroturizëm. Agjencia për Zhvillimin Bujqësor Rural njoftoi se janë dhjetëra subjekte që kanë aplikuar për të përfituar nga Skema Kombëtare që adreson dy masa që mbështesin agroturizmin.

Masa 8 mbështet ngritjen ose rikonstruksionin e ambienteve për veprimtari të turizmit rural nga 6 deri në 10 dhoma, në 50 % të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 5.000.000 lekë për subjekt. Përfituesit e mundshëmjanë subjektet me status fizik, juridik ose SHBB të regjistruar në QKB për aktivitetin që aplikojnë.

Investimet e pranueshme janë në zonat rurale. Subjektet duhet të aplikojnë me plan biznezi 5-vjeçar, sipas modelit zyrtar të publikuar në faqen zyrtare të AZHBR: www.azhbr.gov.al Investimi nuk duhet të fillojë para lidhjes së kontratës. Leja e ndërtimit /rikonstruksionit të sigurohet para lidhjes së kontratës, por jo më vonë se 60 ditë pune nga data e përfundimit të aplikimeve. Përfitues janë subjektet, të cilat nuk mund të mbështeten nga programi IPARD II.

Masa 9 mbështet investime në agroturizëm kundrejt planit të biznesit, në 50 % të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 10 000 000 lekë për subjekt. Përfitues janë subjektet, të cilat nuk mund të mbështeten nga programi IPARD II. AZHBR bën të ditur se subjektet aplikues janë kryesisht nga zona veriore dhe jugore e vendit.