Ka pasur mundësinë të luajë edhe ndaj Portugalisë edhe ndaj Spanjës, me fanellën e Shqipërisë. Ish-mesfushori Andi Lila, në emisionin “Euro Mania”, në News 24, është shprehur se të dyja këto kombëtare kanë ndryshuar shumë, në krahasim me atë që kanë qenë në të kaluarën. Gjithashtu Lila ka treguar edhe një episod të veçantë me mesfushorin Iniesta, gjatë ndeshjes mes Spanjës dhe Shqipërisë.

“Ndodh me të gjitha skuadrat që të kenë ulje-ngritje. Po të shikosh këtë Spanjë me atë të yjeve të famshëm që shkëlqenin atëherë, janë shumë larg. Spanja do jetë gjithmonë pretendent. Do prodhojnë yje. Shikojmë që ka shumë lojtarë të rinj dhe e ardhmja premton shumë.

Portugalia? Është skuadër e një futbolli të bukur. Gjithmonë kanë nxjerrë talente nga më të mirët në botë, Figo në të kaluarën, tani Ronaldo. Është skuadër shumë serioze, por në krahasim me atë Portugali që ne luajtëm në eliminatoret e Europianit të 2016, tashmë kanë më shumë vite mbi supe.

Maqedonia po merr pjesë për herë të parë, fatkeqësish nuk po lënë gjurmë, siç bëri Shqipëria. Ne e arritëm kualifikimin me eliminatoret, ndërsa për Maqedoninë e dimë të gjithë si shkoi aty.

Dueli me Iniestën? Ne luanim me 3 në mesfushë. Unë në qendër djathtas, ndërsa Iniesta majtas. 35 minuta nuk kisha asnjë kontakt. Në një moment e mendova se e kapa, i shkova në kohë vonesë dhe më tha ‘A je i çmendur?!’ Në atë moment i kërkova ndjesë, isha i turpëruar.

Te Grupi F, shpresoj të kalojnë të gjitha skuadrat. Duam që të shikojmë më mirë Francë-Itali ose Portugali-Itali. Po flas si tifoz. Është grup i vështirë, e kam ndjekur me interes. Gjermania po përsërit Botërorin e Rusisë. Unë tifo kam bërë që fëmijë me Italinë. E kam pasur ëndërr që i vogël, që nëse do luajë për kombëtaren të përballesha me Italinë dhe e bëra 3 herë këtë.

Italia ka skuadër simpatike. Nuk janë më ata që kemi parë, që luajnë mbrojtje. Jam skeptik, sepse Italia ka materializuar një lojtar si Zhorzhinjo në mesfushë. Të gjithë janë të shkurtër. Kjo do të thotë që ata preferojnë futbollin poshtë.

Kombëtarja tani apo e De Biasit? Skuadra e tanishme me atë që ishim ne, kjo e sotmja ka shumë talent. Të jeni të bindur që Shqipëria do të jetë në kompeticione të rëndësishme. Unë dhe brezi im jemi krenarë për arritjen siç ishte Euro2016. Hera e parë mbahet mend gjatë.”, tha Lila.