Çështjet e mjedisit janë vendosur në qendër të sfidave globale, ndërsa qyteti i Venecias po rihap përsëri dyert për Bienalen e Arkitekturës. Ekspozita e 17-të Ndërkombëtare e Arkitekturës është rikthyer pasi u anulua vitin e kaluar për shkak të pandemisë.
Si do të jetojmë së bashku? Kjo është pyetja kryesore që po ngre Bienalja e Arkitekturës të këtij viti në Venecia.
Pas një viti të humbur për shkak të koronavirusit, mjedisi dhe mënyra se si njerëzimi mund të jetojë në kërë mjedis po mbizotëron në pavionet e ekspozitës.
Ujërat e Përbashkëta: Alpet na kujton se akulli në male po shkrihet. Uji pikon nga tavani në kova të instaluara.
Ky projekt paralajmëron se situata aktuale do të rezultojë në ‘ndryshimin e bilancit të ujit’, i cili do të pengojë vargmalin të përmbushë funksionin e tij si kulla e ujit në Evropë.
Është vetëm një nga pavionet që synojnë të rrisin ndërgjegjësimin e publikut për çështje urgjente të mjedisit.
Në të pesë parametrat e Bienales, tema e ndryshimit të klimës është shumë e pranishme, kur mendojmë për të ardhmen tonë si planet, mbrojtjen e oqeaneve dhe burimeve, të drejtat globale, thotë Hashim Sarkis, kuratori i Bienales së Arkitekturës së Venecias 2021.
Arkitektja Pinar Yoldas paraqet një gjendje të zymtë të oqeaneve të botës. Projekti përbëhet nga gjashtë punime që të gjitha rezultojnë me vdekje.
Një akuarium me flluska simbolizon Oqeanin Acid. Kimia komplekse e oqeanit siguron mjedisin e kripur për përhapjen e krijesave.
Arkitektura po zgjeron të kuptuarit dhe ndjeshmërinë ndaj gjallesave, kështu që mendoj se po vjen një kohë ku ndoshta fokusi nuk duhet të jetë që të ndërtojmë më shumë dhe për të nxjerrë më shumë fitime, më shumë qendra tregtare, më shumë ndërtesa të larta, por përkundrazi është një arkitekturë ku tërhiqemi dhe u japim hapësirë kafshëve dhe formave të tjera të jetës, thotë arkitektja Yoldas.
Në projektin Bota e kthyer mbrapsht, pjesa e pasme e Tokës portretizon botën ashtu siç e njohim, me autostrada, hekurudha, korsi transporti, kabllo nënujore dhe rrugë ajrore.
Brenda është ajo që nuk e dimë ende se çfarë është, nëse e shikojmë nga distanca.
Paraqet botën si planet dhe paraqet pyetjen se si mund të angazhohemi ndryshe në, si e trajtojmë idenë e asaj që është e njohur dhe e panjohur, shpjegon Joyce Hsiang, një nga arkitektët që krijoi projektin.
Tregon se si bota shpaloset, hapet dhe ka dy anë, brenda dhe jashtë: nga jashtë ne e tregojmë një botë ashtu siç kemi jetuar në të, të gjitha gjurmët që kemi lënë mbi të, tregon të gjitha rrugët ajrore, kabllot nënujore, shtigjet satelitore dhe kështu me radhë që gjatë mijëvjeçarëve kanë përshkruar globin, thotë bashkë-krijuesi Bimal Mendis.
Pjesa e brendshme flet për një eksplorim të Tokës, duke shprehur idenë se ka ardhur koha për ta lënë të qetë: një propozim më utopik se si mund të duket nën një regjim të ruajtjes së saj.
Një ekspozitë tjetër shikon se si ndryshimi i klimës dhe një prani ndërkombëtare po ndikojnë në Antarktidë. Një kuti metalike përfaqëson ajsbergët që shpërbëhen në kontinent.
Quhet Rezoluta e Antarktidës. Krijuesit besojnë se është e rëndësishme të zhvendoset vëmendja në Antarktidë, të kuptohet se çfarë po ndodh atje dhe të sigurohemi që bota të promovojë politika që mund të sigurojnë ruajtjen dhe mbrojtjen e saj.
Grupi tregon se çfarëdo që të ndodhë në Antartidë ka efekt kudo, sidomos në Venecian që po fundoset dhe beson se është thelbësore për të gjitha komunitetet bregdetare dhe për pjesën tjetër të botës.
Në ekspozitë shfaqen edhe ide për jetë më të qëndrueshme dhe materiale të reja.
Një strukturë e tërë është ndërtuar nga fibra për të treguar se si teknologjia e përparuar mund të zëvendësojë përdorimin e burimeve që dëmtojnë klimën.
Kemi dashur të tregojmë një arkitekturë për të ardhmen që na tregon se si mund të trajtojmë disa nga sfidat e mëdha me të cilat përballemi në mjedisin e ndërtimit, si konsumi i madh i burimeve, emetimet e larta të karbonit që kanë të bëjnë me prodhimin e betonit, si mund të tregohemi inovativë duke ndërtuar jo me materiale të forta por me fibra, shpjegon Achim Menges, arkitekti i ndërtesës.
Në ekoLogicStudio tregohet se si mund të rriten, mblidhen dhe konsumohen algat, për t’u përdorur ndoshta në të ardhmen për marrjen e proteinave të qëndrueshme.
Themeluesit Marco Poletto dhe gruaja e tij Claudia Pasquero thonë se ata tashmë e përdorin këtë teknologji në shtëpinë e tyre për të jetuar me burime të qëndrueshme.
Për të rritur, mbledhur dhe konsumuar algat, ekspozita është e ndarë në tre pjesë: membranat ku algat rriten në një sipërfaqe xhelatinoze, seksioni i dytë ku kulturat mbahen gjallë, është si një laborator vertikal, si edhe pjesa më produktive që është kopshti vertical. Secili reaktor prodhon proteina të mjaftueshme për një familje të vogël, kështu një objekt kaq i madh mund të jetë i mjaftueshëm për të ushqyer dhjetë familje pak a shumë, shpjegon zoti Poletto.
Pavioni i Irlandës vë në diskutim një pjesë tjetër të jetës sonë të përditshme: hapësirën që zënë të dhënat.
Instalimi Entanglement argumenton se hapësira dixhitale është diçka materiale dhe se reja ku ruajmë të dhënat është një realitet material.
Të dhënat kërkojnë energji për t’u prodhuar.
Dublini është kryeqyteti i të dhënave në Evropë. Pavioni informon vizitorët se deri në vitin 2027, qendrat e të dhënave parashikohet të konsumojnë tridhjetë e një përqind të kërkesës totale të Irlandës për energji elektrike, të gjeneruar në pjesën më të madhe nga lëndët djegëse fosile.
Përdorimi i internetit nuk është pa pasoja dhe pa gjurmë materiale dhe nëse shihni prirjet për përdorimin e rrjetit, ai do të rritet në mënyrë eksponenciale me 5G kështu që ne po theksojnë se cili është realiteti që të paktën ta hapim këtë diskutim që nuk ekziston, të paktën jo në Irlandë, thotë Fiona McDermott, Bashkë-Kuratore i Pavijonit të Irlandës.
Ekspozita e 17-të Ndërkombëtare e Arkitekturës u hap në 22 maj pas një shtyrjeje pandemike një vjeçare dhe do të zgjasë deri më 21 nëntor 2021.