Nga Ylli Pata/
Pas 2016-s, kur SHBA u investua fuqishëm në reformën e drejtësisë në Shqipëri, e kur nisi një pozicion proaktiv i diplomatëve të saj në Tiranë, një fenomen krejt i çuditshëm është vënë re, çka do të mbetet edhe në historinë absurde të tranzicionit shqiptar.
Sulmet nga çeta militantësh në faqet e rrjeteve sociale të ambasadorëve e diplomatëve të tjerë amerikanë, ka qenë një lejtmotiv politik i betejës së opozitës shqiptare.
Po të shikosh me kujdes këtë segment të asaj që quhet fushatë balte e denigrimi, pyetjet që të vijnë në mendje janë: a përfaqësojnë këto sulme, mendime, apo qëndrime logjike të njerëzve që i ndërmarrin?
Mjafton të shikosh ftohtë përmbajtjen e tyre dhe arrin shpejt në përfundimin se nuk kemi të bëjmë me një polemikë, me një kritikë, me një qasje për të hyrë në komunikim nëpërmjet mendimeve të kudërta, që në fund të fundit të ketë një reflektim apo edhe debat opinionesh.
E gjitha kjo fushatë, që kur ka nisur përmban vetëm kryeqëzim, etiketim, akuza e sulme pa kthim, që çdo njeri e shikon qartë se qëllimi i tyre nuk është të ndërveprojnë siç edhe edhe misioni i rrjeteve sociale në thelb, pra të ketë interaktivitet në shpalosjen e opinioneve, mendimeve apo edhe argumenteve të ndryshme.
Jo, të gjitha janë dacibao ku fake news dhe koncepti enverian i baltosjes sfumon çdo mundësi për një kthim përgjigje në këtë rast.
Megjithatë, fenomeni ka përjashtimet e saj dhe kemi rastin ku ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, takoi një nga kritikët e saj në rrjete sociale, ka pirë një kafe alla shqiptarçe, për të dhënë një mesazh. Një mesazh që do të thotë që gjithsesi ambasada është e gatshme të presë dhe të komunikojë me këto që mendon ndryshe, madje edhe është edhe kritik, por mjafton të ketë vullnet për ta mbajtur gjallë debatin dhe diskutimin.
Se në fakt, ambasadorët, diplomatët nuk se kanë në përshkrimin e punës për të qenë popullorë në vendin ku kryejnë misionin, por ata i shërbejnë qeverisë dhe vendit të tyre.
Çdo sulm apo baltosje e tyre, logjikisht është një mision i dështuar nga ata që e nisin, nuk krijon asnjë mundësi për të ndryshuar qëndrim nëse ka, pasi diplomatët zbatojnë vijën e qeverive të tyre dhe nuk votohen në Shqipëri.
Nuk ka asnjë sens e gjithë kjo kryqëzatë, që në Shqipëri ka vetëm dy frymëzues politik: Sali Berishën dhe Ilir Metën, të cilët nuk reshtin së sulmuari ambasadorët.
Kjo luftë e tyre, është një betejë krejtësisht donkishoteske me mullinjtë e erës, pasi nuk ka asnjë shans që të ndikojnë në qëndrimin e qeverive të SHBA apo vendeve europiane ku i sulmohen ambasadorët. Përkundrazi, çdo kancelari e një shteti serioz, këto sulme mund t’i ketë marrë si në bazë apo shenjë negative sesi një vend si Shqipëria trajton diplomatët e huaj.
Diplomatët kanë një trajtim krejt të veçantë në vendin ku kryejnë misionin, ata janë të mbrojtur, me imunitet dhe kanë si me ligj ndërkombëtar, ashtu edhe me traditë një mikpritje të ngrohtë nga vendi pritës. Edhe Shqipëria e ka pasur këtë traditë që herët në historinë e saj. Përveç rastit të Mbretëreshës Teutë me vrasjen e ambasadorëve të Romës, asnjëherë në historinë shqiptare nuk ka ngjarje të pakëndshme me të dërguarit apo udhëtarët e huaj.
E kundërta është e vërtetë, madje “kumbarët” e Shqipërisë moderne janë udhëtarët e diplomatët, që me librat e tyre për vendin tonë, krijuan opinionin dhe dhanë dëshmi të vyera që shërbyen më pas me vendimet e Fuqive të Mëdha për Shqipërinë.
Edhe në kohën e komunizmit, Enver Hoxha, nuk i ka trajtuar keq ambasadorët, edhe kur ata i kanë dalë hapur kundra dhe kanë krijuar probleme për qeveritë e tij.
Siç kanë qenë rastet kur qytetarë të ndryshëm hynin e kërkonin strehim politik në ambasadat perëndimore.
Gjatë viteve të postkomunizmit, ambasadorët morën një rol shumë të rëndësishëm, pasi ishin logjikisht paradhoma për të hyrë në kancelaritë e fuqive të mëdha.
Por, futja e mikrobit e luftës me ambasadorës, ka qenë një nga faqet më të zeza të historisë politike në vend. Sali Berisha, është politikani që ka investuar më shumë për këtë luftë, si para, ashtu edhe energji. E duhet thënë ka qenë totalisht një betejë e humbur që në fillim. Madje një nga arsyet që Berisha ka marrë damkë në qarqet botërore është edhe trajtimi jo mikpritës ndaj ambasadorëve; pra kur ata nuk kanë mendim me të i damkos, i shan, madje paguan edhe para për të financuar fushata sulmi.
Një nga rastet më të rënda e të turpshme është natyrisht fushata që qeveria “Berisha” nëpërmjet kompanisë “Podesta”, loboi keqas ndaj ambasadorit të atëhershëm të SHBA-së në Tiranë, John Withers. Një diplomat i nivelit shumë të lartë; që vinte nga shërbimi diplomatik e cilësohej një intelektual në ambjentet e DASH-it, ku kishte qenë dhe Drejtor i Operacioneve, një sektor shumë i rëndësishëm.
U shpenzuan para pa fund për t’i bërë luftë ambasadorit Withers nëpërmjet lobimit, por ama edhe sot e kësaj dite ata kabllograme emblematike, të shkruara me një stil perfekt, janë sipas të gjitha gjasave “buka” e infove të Departamentit të Shtetit për të shpallur Sali Berishën Non Grata një muaj më parë.
Një pjesë të këtyre kabllogrameve u mësuan nga publiku pas rrjedhjeve të arkivit shtetëror amerikan nëpërmjet Wikileaks, e natyrisht ata janë vetëm maja e ajsbergut.
Edhe sulmet e më pasme, përplasjet lufta, energjia e madhe që u harxhua në politikën shqiptare, ambjentin e paguar mediatik krijoi një situatë absurde e skandaloze.
Absurde ngaqë e gjithë kjo fushatë është e kotë dhe nuk do të sjellë asnjë objektiv, por nga ana tjetër është skandaloze, pasi tregon nivel të ulët trajtimi të një miku apo mysafiri siç është një diplomat.
Nuk mundet të goditet një mysafir sepse mendon ndryshe nga ti, është një mision sa obsurantist por edhe jo logjik. Natyrisht debati, diskutimi, edhe kritika, kryesisht nga njerëz që janë të nivelit për të formuar dhe trajtuar një polemikë edhe me diploatët mund të jetë edhe i dobishëm.
Por sulmi me aradhë mercenarësh nuk ka burrë nëne ta fusë në tru se çfarë qëllimi arrin. Kjo logjikë kinse “populiste” ka dështuar në botë nga formacionet e ekstremit të djathtë që dështuan një e nga një që me trumpizmin, jo më në Shqipëri, ku natyrisht i jep zë një mase që beson në teoritë që toka është e rrafshët si truri i tyre, por as nuk krijon opinion, e lë më të faktorizohet politikisht. Pastaj transferi i këtij sulmi në SHBA në shoqata të kapura si Vatra është edhe më keq akoma.
Publikimi nga TemA i shkrimit ku Vatra mbronte Sali Berishën, pati një vëmendje shumë të madhe ndër shqiptarët e SHBA që hapur shprehin budallëllëkun e turpin e kësaj mënyre së bëri politikë.
Të cilët përveç Berishës, natyrisht e ka edhe Ilir Meta, ku eksponentë të partisë së tij nuk lënë ditë pa sulmuar ambasadoren e SHBA apo diplomatë të tjerë siç ishte edhe gjermani Bernd Botchard që drejtoi selinë e OSBE-së e u shpall “non grata” në Presidencë.
Një vendim që jo vetëm Metën e Presidencën, por edhe Tiranën zyrtare u ka hapur probleme sigurisht në Berlin, politikën dhe diplomacinë gjermane… (TemA)