Kreu i delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, ambasadori Luigi Soreca, ishte sot në Kurbin së bashku me Kryeministrin Edi Rama, ku inspektoi punimet në shkollat “Gjokë Elezi” dhe “Demokracia”, të cilat po rindërtohen pas shkatërrimit nga tërmeti i 26 nëntorit, falë financimit nga Bashkimi Europian.

“Sot jemi në Kurbin me kryeministrin, po ashtu edhe miqtë tanë nga PNUD, si edhe me koordinatoren e OKB-së në Shqipëri për të vizituar këto shkolla, të cilat po rindërtohen në sajë të programit të financuar nga BE që quhet BE për shkollat”, tha Soreca.

Ai theksoi se, “janë 75 milionë euro për më shumë se 60 shkolla dhe janë të gjitha këto fonde që janë dhuruar nga Komisioni Europian”.

“Sot kemi ardhur tek shkolla e dytë, e cila po ndërtohet nga fillimi dhe po vlerësonim pikërisht cilësinë e ndërtimit dhe me fjalën e fundit të shkencës dhe ky është solidariteti i BE për Shqipërinë, në formë konkrete me anën e këtyre fondeve që janë dhuruar për më shumë se 25 mijë nxënës të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme”, u shpreh Soreca.