Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca, ishte të mërkurën në Gjykatën e Lartë për të zhvilluar një takim pune me Zëvendëskryetarin e kësaj gjykate Sokol Sadushi.
Gjatë takimit u diskutua mbi aktivitetin e deritanishëm të gjykatës, sfidat më të cilat ajo përballet vazhdimisht, si edhe punën e kryer nga anëtarët e Gjykatës së Lartë, në drejtim të uljes së numrit të çështjeve të prapambetura, zbatimit të kërkesave kushtetuese e ndryshimeve të fundit procedurale ligjore për përmirësimin e situatës në këtë institucion, me qëllim krijimin e një klime besimi tek qytetarët.
Në këtë kuadër Zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi, falenderoi ambasadorin e BE për ndihmën e pakursyer në drejtim të masave të marra për ndryshimet ligjore, të cilat kanë ndikuar që tani në procesin e shqyrtimit efektiv të dosjeve gjyqësore.
Sadushi u shpreh se tashmë Gjykata e Lartë, pas një viti, është më e vetëdijshme në atë se çfarë i nevojitet asaj, dhe të gjithë gjyqtarët e kësaj gjykate janë sot më besimplotë për të arritur rezultatet e pritshme. Sigurisht ardhja e gjyqtarëve të rinj, për të plotësuar më tej trupën gjyqësore është e domosdoshme për të rritur eficencën e Gjykatës së Lartë e cila paralelisht do të bëjë të mundur edhe përzgjedhjen e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese.
Për këtë arsye, kjo gjykatë shpalli pak kohë më parë edhe nisjen e procedurave për tre vendet vakantë në Gjykatën Kushtetuese, për të bërë të mundur vijimin e këtij procesi të rëndësishëm pa vonesa dhe në kohë.
Nga ana e tij Ambasadori i BE-së Luigi Soreca, vlerësoi maksimalisht punën e kryer deri tani nga Gjykata e Lartë duke e quajtur atë një hap madhështor që ka hedhur kjo gjykatë dhe anëtarët e saj. Sipas Soreca, puna e bërë nga Gjykata me çështjet e prapambetura është parë me vlerësim nga komuniteti ndërkombëtar.
Duke përmenduar ndryshimet e fundit procedurale ligjore, ambasadori Soreca vlerësoi faktin së ato janë një ndihmë konkrete për mbarëvajtjen e procesit të shqyrtimit të çështjeve në gjykatë, e cila në këtë mënyrë bëhet edhe më eficente në punën e saj. Funksionimi normal i Gjykatës së Lartë, me ardhjen edhe të anëtarëve të saj të rinj, sjell padyshim edhe plotësimin e shpejtë të Gjykatës Kushtetuese.
Soreca e siguroi Sadushin se mbështetja e Delegacionit të Bashkimit Evropian do të vijojë të jetë e pranishme dhe e shpeshtë në të ardhmen, pasi BE ka një plan dhe program të qartë e të dedikuar për institucionet e pavarura të drejtësisë.