Shtetasit e Kosovës, Bosnje e Hercegovinës dhe Malit të Zi do të mund të udhëtojnë në vendet e Bashkimit Evropian edhe pa nevojë të domosdoshme. Shtetet anëtare të BE-së u pajtuan të mërkurën me propozimin e përgatitur nga Presidenca portugeze e Bashkimit Evropian. Ky vendim pritet të hyjë në fuqi deri në fund të javës së ardhshme.

Ky vendim nënkupton se qytetarët e këtyre vendeve, përfshirë ata që nuk janë të vaksinuar kundër koronavirusit, do të mund të udhëtojnë në vendet e BE-së.

Heqja nga lista e kuqe e udhëtimeve bëhet për shkak të situatës së favorshme epidemiologjike në këto tri shtete. Ndërkaq, para dy jave, në listën me rrezik të ulët nga COVID-19 ishin përfshirë edhe Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Pavarësisht se këto shtete largohen nga lista e kuqe e udhëtimeve, qytetarët e këtyre shteteve duhet të respektojnë edhe disa rregulla të tjera kundër pandemisë.

Lehtësimi i kushteve për udhëtim në vendet e Ballkanit Perëndimor vjen pikërisht në kohën kur një numër i madh i qytetarëve me banim në shtetet e BE-së, me prejardhje nga ky rajon, shkojnë në pushime vjetore.

Përfaqësuesit e përhershëm të vendeve anëtare të BE-së diskutojnë sot draft-listën e re, e cila, përveç vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshin edhe Kanadanë, Moldavinë, Armeninë, Azerbajxhanin, Jordaninë, Arabinë Saudite, Katarin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ambasadorët e BE-së tashmë e kanë miratuar atë.

BE-ja i azhurnon listat çdo dy javë, në përputhje me situatën epidemiologjike në secilin vend veç e veç.

Për të siguruar statusin e një vendi të sigurt, ai duhet të regjistrojë maksimum 75 raste pozitive me koronavirus për 100,000 banorë, në 14 ditët e fundit.

Në muajin maj, Bashkimi Evropian ka miratuar edhe të ashtuquajturën “frenë emergjente”, në bazë të së cilës mund të riaktivizohet ndalesa e udhëtimit për vendet ku situata epidemiologjike përkeqësohet me shpejtësi./Rel