Kryeministri britanik, Boris Johnson e cilësoi si solide marrëdhënien mes Britanisë së Madhe dhe SHBA-së, pas takimit të parë me presidentin amerikan, Joe Biden para samitit t ëdrejtuesve të G7-s që hapet sot.

“Bëhet fjalë për një marrëdhënie, që ju mund ta quani marrëdhënie të thellë dhe kuptimplotë, si të dëshironi, marrëdhënie solide, është një marrëdhënie që zgjat prej shumë kohësh dhe që ka luajtur një rol të rëndësishëm në paqen dhe prosperitetin në Europë dhe në botë”, deklaroi Boris Johnson në një intervistë të publikuar sot nga BBC.

Gjatë takimit të tyre kokë më kokë, dy drejtuesit kanë diskutuar “25 çështje” në detaje, mes të cilave përçarjen e shkaktuar nga Brexit në Irlandën e Veriut.

Boris Johnson minimizoi pakënaqësinë e Joe Biden, krenar për origjinën e tij irlandeze, për përpjekjet e Londrës për të rishikuar “protokollin e Irlandës së Veriut”, që shmang kthimin e një kufiri me Irlandën, por pengon furnizimet midis Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut.

Bashkimi Europian, Uashingtoni, të gjithë kanë një interes të madh të sigurohen që ne po ruajmë simetrinë thelbësore të marrëveshjes të së Premtes së Shenjtë, që i dha fund në vitin 1998 tre dekadave të konfliktit të përgjakshëm mes luajalistëve, të atashuar në kurorën britanike dhe republikanëve që mbështesnin ribashkimin e ishullit.

Kryeministri konservator diskutoi gjithashtu me Joe Biden çështjen, shumë të ndjekur në Britaninë e Madhe, të vdekjes së Harry Dunn, i vrarë në një aksident rrugor të shkaktuar nga gruaja e një diplomati amerikan, i cili u largua menjëherë në SHBA duke përmendur imunitetin diplomatik.

“Joe Biden është i përfshirë në mënyrë aktive në këtë çështje”, theksoi Boris Johnson dhe ka arsyet e tij personale për t’u shqetësuar thellë për këtë çështje, pasi ka humbur gruan e tij të parë dhe vajzën një vjeçare në një aksident automobilistik në 1972

Sipas Boris Johnson, “vështirësia” qëndron në kufijtë e asaj që ekzekutivi mund të bëjë me (…) sistemin gjyqësor, por të dy palët po punojnë së bashku.