67 milionë lekë të reja gjoba janë vendosur deri më tani nga IKMT ndaj 44 subjekteve që kanë ndërtuar pa leje në bregdet. Shifrat i tregon Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi teksa po vijon operacioni “Bregdeti Ynë”.
“Që prej nisjes së operacionit dhe deri më sot Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit krahas shembjes së ndërtimeve pa leje dhe pastrimit të inerteve, ka vendosur 67 milionë lekë gjoba për 44 subjekte. IKMT dhe Policia e Shtetit po vijojnë operacionin sipas planit të punës në ato zona të bregdetit ku janë evidentuar objektet e ngritura në shkelje të ligjit.
Po e pastrojmë të gjithë vijën bregdetare nga Velipoja në Ksamil, me bindjen se kjo është rruga e duhur për të mbrojtur këtë pasuri tonën të përbashkët dhe për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit. Gjej shesh të lirë, zapto e ndërto pa leje, të mos e mendojë më askush”, shprehet ministri Çuçi.
Pjesa më e madhe e subjekteve të gjobitura është në zonën e Ksamilit, më pas vijon me Velipojën e Shëngjinin. Dy ditë më parë IKMT dhe Policia e Shtetit e shtrinë operacionin në Shëngjin. Në ditët e ardhshme do të vazhdohet me zona të tjera të bregdetit sipas hartës me njollat ku janë evidentuar objekte të ngritura pa leje.