Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit nisi sot nga Velipoja e Ksamili, operacionin përgjatë vijës bregdetare, për prishjen e objekteve pa leje. Operacioni “Bregdeti ynë” synon pastrimin e vijës bregdetare nga ndërtimet pa leje. Tashmë ka mbaruar evidentimi i këtyre ndërtimeve dhe strukturat shtetërore kanë njoftuar subjektet përkatëse. Paralel me lajmërimet e subjekteve aksioni është koordinuar edhe me zyrën e legalizimeve për t’i prerë rrugën e legalizimit të gjitha objekteve të evidentuara.

Përveç “beach bareve” pa leje, aksioni do të përqendrohet tek ndërtimet e qëndrueshme me beton dhe do të shtrihet përgjatë gjithë bregdetit. Kjo konsiderohet si faza e parë e aksionit dhe pas sezonit turistik, në muajin shtator, do të vijohet edhe me ato ndërtime pa leje që janë të palegalizueshme për shkak të natyrës që kanë. 1 javë më parë, Kryeministri Edi Rama u bëri apel shkelësve të ligjit që të prishin dhe të pastrojnë vetë çka kanë ndërtuar pa leje në dëm të pasurisë së popullit, sepse kur të përballen me forcën e operacionit “Bregdeti ynë”, do të jetë shumë vonë për ta. Po ashtu, Rama tha se me Kodin Penal janë të gjithë pjesë e zinxhirit të fajësisë dhe përgjegjësisë, ndërsa u bëri thirrje njëkohësisht edhe punonjësve të Policisë që të jenë qartësisht të mirëinformuar se njësoj si lufta me krimin në rrugë, njësoj si lufta me kultivimin e lëndëve narkotike edhe kjo ka një hartë, ka një përgjegjësi./