Të 30 aleatët e NATO-s u zotuan se do të shpenzojnë më shumë para në samitin e Brukselit, por ende nuk kanë specifikuar se sa do të rrisin buxhetin e tyre të parandalimit dhe mbrojtjes, një element kryesor i një plani për të reformuar paktin e mbrojtjes së ndërsjellë 72-vjeçare.
Në një deklaratë të përbashkët, udhëheqësit thanë se ”ambicia e tyre e përbashkët kërkon burime të përshtatshme përmes shpenzimeve të mbrojtjes kombëtare dhe fondeve të përbashkëta”.
“Ne jemi dakord të rrisim këto burime, duke përfshirë nëse është e nevojshme, financimin e përbashkët të NATO-s nga 2023, duke marrë parasysh qëndrueshmërinë, mundësinë e arritjes dhe llogaridhënien”, vazhdon deklarata.
”Kërkesat e sakta për financime të mëtejshme deri në vitin 2030 do të përpunohen vitin e ardhshëm”, sipas njoftimit.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg e mirëpriti nismën dhe theksoi se ”e gjithë kjo do të thotë ndarje më e drejtë e barrës në të gjithë aleancën dhe ne duhet ta mbajmë këtë moment për të bërë më shumë së bashku”.