Ambasadori i Italisë, Fabrizio Bucci zhvilloi sot një vizitë pranë Akademisë së Sigurisë gjatë së cilës mbajti një fjalim përshëndetës për 27 pjesëtarët e BKH-së të angazhuar në veprimtari stërvitore.

Ambasadori, i shoqëruar nga Kreu i Projektit PAMECA V, nga një përfaqësues i Sigurisë pranë Ambasadës si dhe nga drejtuesi i SPAK-ut, Arben Kraja dhe nga Drejtuesja e BKH-së, Aida Veizaj Hajnaj, u uroi punë të mbarë hetuesve të strukturës së re.

Në fakt, javën e ardhshme ata do të kryejnë një vizitë në Romë për të marrë pjesë në një javë të ngjeshur formimi, veprimtari kjo e financuar dhe e organizuar nga Projekti i BE-së i drejtuar nga Italia, PAMECA V, nën kujdesin e Drejtorisë Qendrore të Policisë Kriminale si dhe nga Drejtoria Hetimore e Antimafias pranë Departamentit të Sigurisë Publike të Italisë.

Ky kurs, i strukturuar në pjesën e teorisë dhe të praktikës, u bashkëngjitet veprimtarive të tjera të formimit, ndërsa vullneti për realizimin e tij u shpreh qartazi në konferencën video në të cilën morën pjesë Autoritetet italiane dhe ato shqiptare e që u zhvillua në muajin nëntor të vitit të kaluar.

Në fjalën e tij, Ambasadori Bucci, përmendi nivelin e shkëlqyer të bashkëpunimit dypalësh mes të dy vendeve në sektorin e policisë kriminale dhe të bashkëpunimit gjyqësor, duke vënë theksin në rezultatet e shkëlqyera të arritura në ndalimin dhe arrestimin e personave në kërkim si dhe në veprimtaritë e përbashkëta përmes mekanizmit të skuadrave të përbashkëta (JIT joint investigation teams).

Prokurori Kraja dhe Drejtuesja Hajnaj, duke iu drejtuar pjesëmarrësve në kurs, nënvizuan faktin se shumë shpejt ata do të jenë protagonistët e këtij bashkëpunimi e se duhet të përfitojnë nga kjo mundësi e dhënë nga Italia për të thelluar më tej njohuritë dhe bagazhin e tyre profesional, veçanërisht në nivel praktik, në fushën e hetimeve të ndërlikuara.