Historia e borxhit mes Vjollcës dhe Zenunit në rubrikën “Shihemi Në Gjyq” tek “E Diela Shqiptare” ka thyer rekordin e çdo programi të momentit në vend. Edhe pse kanë kaluar disa javë nga publikimi i këtij rasti, dy personazhet janë bërë mjaft të dashur për publikun. Fjalët e thëna nga Vjollca për bashkëshortin dhe stilin e saj të jetesës kanë frymëzuar qindra video në rrjetet sociale si Instagram, Facebook apo TikTok duke e kthyer në personazhin e momentit.
Në platformën YouTube janë më shumë se 2 milionë klikime në videot e këtij rasti (ku vetëm video e plotë ka mbi 1 milion shikime) në vetëm 3 javë. Zenuni dhe Vjollca janë një çift bashkëshortësh të cilët nuk jetojnë më bashkë dhe nuk i kanë marrëdhëniet mirë. Zenuni tregon se prej 5 vitesh gruaja e tij është ndarë nga ai dhe dy fëmijët nuk i flasin më. Ai jeton vetëm, në një shtëpi të shkatërruar dhe të djegur dhe tregon që është në hall të madh. Ai kërkon që Vjollca të bashkohet me të.