Është hapur sot ankandi i parë konkurrues për projekte të shfrytëzimit të energjisë së rinovueshme nga fuqia e erës, nga Kryeministri Rama dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në praninë e Ambasadorit zviceran, Adrian Maitre dhe përfaqësuesve të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Era si burim energjie nuk është shfrytëzuar ende në Shqipëri, edhe pse paraqet potencial të lartë. Ministrja Balluku deklaroi se me mbështetje të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Sekretariati i Shtetit Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO) ka financuar një studim mbi përshtatshmërinë e zonave të mundshme për zhvillimin e projekteve energjetike të erës në vend, ku nxirren në pah të gjitha zonat me mundësi shfrytëzimi të energjisë eolike.

Ky studim përcakton në shkallë vendi 20% të tokës si të përshtatshme për shfrytëzim, një sipërfaqe që përkthehet në 325,000 hektarë, ndërsa përmban një hartë e cila përcakton shkallën e përshtatshmërisë nga ’E lartë’ në ’E ulët’, për të gjitha vendet ku zhvillimi i këtyre projekteve është i mundur. Studimi gjithashtu identifikon Zonat e Ndaluara të cilat nuk mund të shfrytëzohen, pavarësisht potencialit të tyre, siç janë zonat e mbrojtura.

Balluku deklaroi se në këtë ankand, kapaciteti total i vendosur në dispozicion të zhvilluesve është 100MW, ndërsa projektet që do të përzgjidhen do të variojnë nga 10 deri në 75 MW. Procesi do të kalojë nëpër dy faza vlerësimi, ku në fazën e parë do të vlerësohen ekspertizat teknike dhe burimet financiare, ndërsa në fazën e dyte do të vlerësohen ofertat financiare. Ministrja sqaroi se ankandi i sotëm, ndryshe nga ankandet e tjera, konsiderohet ankand hibrid, pasi shteti shqiptar nuk ka përfshirje tjetër përpos ofrimit të studimit të shfrytëzimit, pra nuk ofron tokë në dispozicion.

Kryeministri Rama deklaroi se ky ankand vjen si vijimësi e planeve qeveritare për shtimin e kapaciteteve energjetike të Shqipërisë, si nevojë për diversifikimin e burimeve të energjisë, në mënyrë që të shmanget varësia nga hidrocentralet dhe moti, duke pasur kështu më shumë burime të shfrytëzimit të energjisë së rinovueshme, por edhe si përmbushje e ambicies për ta kthyer Shqipërinë në një eksportues neto të energjisë së gjelbër.

Rama solli ndërmend marrëveshjet dhe projektet e përmbyllura vitin e shkuar që i përkasin sektorin të energjisë, ku përmendi Hidrocentralin e Skavicës, që do të shërbejë si rezervë në rast të mungesës së shiut por dhe për të penguar fatalitetin e përmbytjeve, dy parqet fotovoltaike, atë të Karavastasë, një park 140 megavatësh, vlerësuar si projekti më i madh solar në rajonin e Ballkanit dhe parku fotovoltaik i Spitallës me kapacitet 100 megavat.

Kryeministri tha se nisma të tilla e stabilizojnë sektorin energjetik në vend, duke e bërë Shqipërinë një destinacion interesi për emrat më të mëdhenj në tregun global të energjisë. Rama më tej tha se bazat janë vendosur dhe po vazhdohet ngjitja drejt asaj maje ku mund të arrihet falë shfrytëzimit me mençuri dhe profesionalizëm të të gjithë këtyre burimeve kaq të pasura natyrore. ‘Kthimi i vendit tonë në një eksportues neto të energjisë së pastër në rajon, e bën Shqipërinë e 2030-ës një horizont të arritshëm dhe një horizont perspektive të re për të gjithë fëmijët tanë’ – përfundoi Kryeministri Rama.