Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka zhvilluar sot takim me një grup studentësh që kanë kontribuar në dhënien e shërbimit të ndihmës ligjore falas pranë Klinikave Ligjore në fakultetet e drejtësisë publike dhe private.

Lajmi bëhet i ditur nga ministrja Gjonaj e cila shprehet se “takimi me studentë ishte një bashkëpunim shumë i frytshëm jo vetëm në ofrimin e shërbimit të ndihmës ligjore falas, por edhe të ndërgjegjësimit dhe edukimit ligjor të qytetarëve, duke qenë si një ndër objektivat tanë të strategjisë së edukimit ligjor”. “Në fund të takimit shpërndamë disa certifikata mirënjohje studentëve për kontributin e tyre në ofrimin e ndihmës ligjore falas për qytetarët. Nëpërmjet 10 marrëveshjeve të bashkëpunimit, ne kemi arritur të bëjmë realitet ofrimin e ndihmës juridike parësore nga klinikat ligjore dhe studentët e angazhuar pranë tyre, bashkëpunim që do të vijojmë”, tha Gjonaj.