Varianti Delta i koronavirusit, tashmë dominues në Britaninë e Madhe është 60% më përhapës se paraardhësi i tij në vend, sipas një studimi të publikuar sot, tre ditë nga njoftimi i vendimit të qeverisë për heqjen e kufizimeve të fundit.
Ministri i Shëndetësisë, Matt Hancock kishte përmendur së fundi 40%. Sipas këtij studimi autoritetet britanike (Public Health England), 42 323 raste (kundër 29 892 një javë më parë) të këtij varianti të identifikuar në Indi u zbuluan në Britaninë e Madhe, ku përbën më shumë se 90% të rasteve të reja.
Public Health England e konsideron megjithatë “inkurajuese” për të vërejtur se kjo rritje nuk shoqërohet me një rritje të shtrimeve në spital në të njëjtat përmasa. Rreth 1 000 pacientë me koronavirus ndodhen aktualisht në spitalet britanike.
“Të dhënat tregojnë se programi i vaksinimit vazhdon të zbusë ndikimin e këtij varianti në popullatat ku numri i njerëzve që kanë marrë dy doza vaksine është i lartë, nënvizon organi publik.
“Nëse vaksinimi, mbrojtja jonë më e mirë, zvogëlon rrezikun e sëmundjes serioze, ajo nuk e eleminon atë”, theksoi Jenny Harries, drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Britanike të Sigurisë Shëndetësore.
Vend i Europës më i prekur me rreth 128 000 të vdekur, Britania e Madhe ka ndërmarrë një fushatë masive vaksinimi, që ka mundësuar administrimin e dy dozave tek më shumë se 77% e të rriturve në gjashtë muaj.