Dhuratë më të shtrenjtë për 1 qershorin zor se ka. Dhe për më tepër duke shpëtuar një jetë. Është ky rasti i vogëlushit vetëm pesë muajsh Arthur Morgan, i cili është bërë pacienti i parë në Britaninë e Madhe që trajtohet me ilaçin më të shtrenjtë në botë.
Fëmija mori terapinë e parë me kosto 2.2 milionë euro pasi u diagnostikua me atrofi muskulore kurrizore, një sëmundje gjenetike që haset në 1 nga 10 mijë fëmijë të lindur në të gjithë botën, raporton noa.al duke cituar britaniken “The Guardian”.
Trajtimi quhet Zolgensma, prodhohet në SHBA dhe referohet si ilaçi më i shtrenjtë në botë. Pavarësisht çmimit marramendës, Zolgensma, trajtimi i terapisë gjenike, nuk është një kurë e garantuar, por një dozë intravenoze që përmirëson lëvizjen dhe funksionimin e muskujve.
Babai Reece është shumë i lumtur siç shihni fotot në galeri që ju sjell noa.al. Ai falënderoi sistemin shëndetësor britanik për dozën ndërsa thanë se kanë nisur mbledhjen e fondeve për trajtime të tjera të djalit të tij pesë muajsh.
Atrofia muskulore kurrizore (SMA) është një sëmundje progresive e shkaktuar nga një gjen i dëmtuar. Sëmundja vret qelizat nervore dhe bën që muskujt e foshnjave të konsumohen, gjë që mund të çojë në vështirësi në gëlltitje ose frymëmarrje.
Ndërsa muskujt e tyre përkeqësohen, foshnjat që vuajnë nga SMA nuk mund të qëndrojnë ose të ecin pa ndihmë, dhe shumica nuk mbijetojnë gjatë fëmijërisë së hershme për shkak të vështirësive të frymëmarrjes.