Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi u shpreh sot në një intervistë televizive se ky vit do të jetë i mirë për turizmin, me situatën e lehtësuar të pandemisë, ndërsa shifrat e vizitorëve të 2019-ës pritet të kthehen gjatë vitit të ardhshëm.
Në lidhje me situatën e turizmit për shkak të pandemisë, Klosi e cilësoi situatën e kësaj periudhe si një problem të madh, por që pritet të lehtësohet.
“Ekziston një ndjesi e njerëzve për të pushuar dhe relaksuar dhe është shumë pozitive dhe shpresoj se turizmi do të përfitojë nga kjo ndjesi e njerëzve për të lëvizur për t’u ndjerë të lirë për të bërë aktivitete, për të shijuar disa ditë pushime dhe kjo do të jetë shumë pozitive dhe do të jetë një nga shtysat e turizmit në Shqipëri”, theksoi ai.
“Por më tepër se kaq, nga pikëpamja a jemi të përgatitur për turizëm, kjo është një pyetje jo kaq e thjeshtë pasi dy vite turizmi është frenuar në të gjithë sektorët, dhe tani jemi në një fazë të një agresiviteti që biznesi kërkon të fitojë dy vitet e humbura. Mbase e dëmton ky lloj agresiviteti për të kaluar te fitimet e 2019, apo me ndjesinë që turizmi është një gjë që duhet të ndodhë patjetër. Nuk është fare kështu. Ne duhet të kuptojmë se duhet të përgatitemi shumë për të përfituar përsëri turizmin, dhe 2020 ishte një vit i tillë. Ne shërbyem dhe bëmë biznes në turizëm gjatë 2020, por shoh se është një lloj agresiviteti në biznes që do të dëmtojë shërbimin”, vijoi Klosi.
“Biznesi do të kërkojë të kapë 2019 me shpejtësi por besoj se do të jetë e vështirë, por do të jetë një vit shumë i mirë krahasuar me 2020. Do të ketë biznes, por ajo që unë do të doja është se 2021 të jetë një gur i fortë në themelin e turizmit për 5 vitet e ardhshme, për 10 vite e ardhshme, pasi jemi në një situatë nga ku garonim si inferiorë, ku shtetet e tjera kishin ecur para. Këto dy vitet e pandemisë e frenuan gjithë turizmin dhe jemi në një stad me ta”, tha ai.
Klosi shtoi se ne “duhet të garojmë si të barabartë me vendet e rajonit”.
“Duhet të ofrojmë cilësi, pastërti, por e rëndësishme është se do të jetë një turizëm i sigurtë. Pra një turizëm që nuk do të dëmtojë këtë procesin e daljes nga pandemia dhe të kemi në fund të sezonit, biznes, ekonomi dhe siguri, që të mos jenë dëmtuar banorët e vendit, shërbyesit turistikë dhe të mos jenë dëmtuar dhe turistët e huaj që kanë ardhur në Shqipëri. Është pak i veçantë 2021 nga pikëpamja e ristartimit të gjithë botës. Pra jemi në të një stad me botën, të gjithë njëlloj”, tha ai.
Në lidhje se çfarë turistësh presim, Klosi tha se “hapja ndodhi pak vonë, pra jemi në prag të korrikut dhe akoma nuk ka ndodhur hapja e plotë e kufijve dhe kjo ka dëmtuar një nga shtyllat kryesore të turizmit, turizmin e organizuar, pra atë turizëm që vjen me prenotime afatgjata”.
“2020 ishte një vit pozitiv për ne se Shqipëria nuk e ka këtë shqetësimin e bukimit afatgjatë, pra strukturat tona janë të menaxhueshme lehtësisht nuk janë struktura të stërmedha dhe në vende si Greqia, Turqia, Kroacia hotelet e mëdha nuk u hapën fare në 2020 dhe e kanë të vështirë të hapen në 2021 sepse nuk kanë garancinë e bukimit. Kurse ne jemi më fleksibël dhe në Shqipëri besoj do të kemi superbiznes nga turizmi i shpejtë, individual i lëvizjes në rajon, por besoj se do kemi vështirësi nga turizmi i organizuar”, tha ai.
Klosi shtoi se Shqipëria është në fillimet e ngritjes së industrisë së turizmit.
“Kemi 2-3 vite që flasim për këtë industri dhe në vite të vështira, dhe sërish unë besoj se do të kemi miliona turistë në verë. Nuk do e kapim dot 2019, por padyshim në 2022 do ta kapim 2019 dhe do shkojmë me shumë shpejtësi te 10 milionë turistë nëse ne bëjmë politika. Ne ketë vit mendoj se do të kemi një turizëm të brendshëm, shqiptarët e të gjithë shqiptarisë do ndihmojnë turizmin, por besoj se ky vite do jetë shumë i mirë për tregun rajonal, do kemi shumë më tepër turistë nga Serbia, Bosnja, Maqedonia e Veriut. Ne pikë të fortë këtë vit kemi zhdërvjelltësinë e strukturave tona akomoduese, padyshim që Shqipëria është një vend ku paraja e shpenzuar për turizëm ka akoma vlerë”, tha Klosi.