“Dogana pa letër”, jo vetëm rrit cilësinë e shërbimit ndaj biznesit, por ul koston dhe kohën për sipërmarrjet që zhvillojnë aktivitetin ekonomik të tyre në import-eksport.
Koha e procesimit të deklaratave doganore është një ndër elementët më të rëndësishëm të performancës, të matshëm nga Organizata Botërore e Doganave.
Të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave tregojnë se koha e procedimit të deklaratave në “kanalin e kuq” u reduktua me 42 minuta gjatë 5-mujorit të parë të vitit.
Po ashtu, ka një reduktim të kohës së përpunimit të deklaratave në “kanalin blu” me rreth 2 minuta, ndërsa në “kanalin e verdhë” me rreth 23 minuta.
Ndërkohë, që ka një rritje të kohës së përpunimit për deklarata në “kanalin e gjelbër” me rreth 4 minuta.
“Rritja në kohë e deklaratave në kanalin e gjelbër vjen për faktorë jashtë ndikimit të Administratës Doganore”, bën të ditur DPD.
Ky shërbim, i cili ka nisur të funksionojë që nga mesi i vitit 2019, u heq bizneseve detyrimin për t’u paraqitur në sportelet doganore fizikisht për depozitimin e deklaratës doganore, pasi tashmë deklarata doganore mund të paraqitet vetëm në mënyrë elektronike. Pra, deklarimi i mallrave në doganë bëhet vetëm online (pa letra) duke aplikuar nënshkrimin elektronik, pavarësisht vendit ku ndodhet deklaruesi dhe nëpërmjet vulosjes elektronike sigurohet, në kohë reale, kopja e këtij dokumenti e verifikuar nga autoritetet doganore.
Nga ky shërbim online përfitojnë rreth 93 % e bizneseve, të cilët më herët detyroheshin të paraqiteshin edhe fizikisht në sportelet doganore për depozitimin e deklaratës doganore.
Vetëm operatorët të cilët klasifikohen me risk të lartë, në gjuhën doganore me “kanal të kuq”, që përbëjnë një përqindje të vogël të operatorëve ekonomikë që depozitojnë deklarata doganore, janë ata të cilët i nënshtrohen një kontrolli të plotë me të gjithë letrat, ndërsa pjesa tjetër jo.