Tregu i kapitaleve dhe listimi në Bursë si një alternativë financimi për korporatat ishte tema e takimit të organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë për bizneset anëtare të saj. Në fjalën e mbajtur në eventin e zhvilluar online, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së, Ervin Mete theksoi se takimi vjen në një moment të përshtatshëm kur është plotësuar kuadri ligjor, por edhe infrastruktura e nevojshme për të mundësuar funksionalitetin e plotë të tregut të kapitaleve.

“Përmes miratimit të dy ligjeve “Për tregjet e kapitalit” dhe “Për Sipërmarrjet e Investimeve Kolektive” është krijuar kuadri i nevojshëm ligjor, i cili shërben si parakusht për mbështetjen e zhvillimit të tregut të kapitaleve. Ligjet e reja diversifikojnë instrumentat dhe mundësitë e investimit në tregjet e kapitalit, si edhe shtojnë kërkesat për transparencë, në mënyrë që sistemi të ofrojë besim. Autoriteti mbetet i angazhuar në plotësimin e të gjithë kuadrit nënligjor e rregullator, në zbatim të ligjeve të reja, ku po asistohet edhe nga ekspertiza e Bankës Botërore,” – theksoi Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv.

Mete vuri në dukje se krahas infrastrukturës ligjore është plotësuar edhe infrastruktura e pastregtimit, nëpërmjet licencimit të Regjistrit Shqiptar të Titujve ALREG, i cili ka marrë gjithashtu funksionet e një Depozitari Qendror. Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së nënvizoi se zhvillimi i tregut të kapitaleve kërkon angazhimin dhe bashkëveprimin e disa institucioneve me rol kyç në këtë treg. Në këtë kuadër, Autoriteti po bashkëpunon me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë në hartimin e një dokumenti strategjik për zhvillimin e tregjeve të kapitalit.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv vlerësoi nismën e Dhomës Amerikane të Tregtisë për ndërmarrjen e aktiviteteve të tilla informuese, por edhe sensibilizuese për bizneset, ndërsa theksoi angazhimin e Autoritetit në ndërmarrjen e hapave në funksion të edukimit financiar dhe ndërgjegjësimit të qytetarëve për tregjet e kapitalit dhe alternativat e investimit.