Një ngjarje e pabesueshme dhe tronditëse ka ndodhur në Itali disa ditë më parë. Një i moshuar shkoi për të marrë mbesën e tij nga çerdhja, por gabimisht ai mori një vajzë tjetër.

Ngjarja ndodhi në çerdhen e komunës së Orciolaia në Arezzo ku i moshuari u paraqit si çdo ditë për të marrë mbesën e tij. Ai u largua me vajzën e gabuar, e cila sipas mediave italiane, ishte dy vite më e vogël se mbesa e tij.

Kur prindërit e saj shkuan për ta marrë, edukatorët i thanë se vajzën e kishte marrë gjyshi. Prindërit u tronditën pasi asnjë prej gjyshërve nuk jetonte në atë zonë.

I moshuari arriti ta kuptojë që nuk kishte marrë mbesën e tij vetëm gjysmë ore pasi ishte larguar nga çerdhja. Ai u kthye sërish duke sjellë vajzën që kishte marrë.

Autoritetet italiane bëjnë me dije se ka nisur një hetim lidhur me këtë ngjarje për të përcaktuar kush ishte fajtori. Rezultoi se vajza që kishte marrë i moshuari kishte të njëjtin emër si mbesa e tij, ndaj dyshohet se ka qenë gabim i një prej edukatorëve që i ka sjellë fëmijën. Sigurisht faji qëndron dhe tek i moshuari i cili nuk e kishte dalluar dot vajzën e vogël.