Lojtari i Valencias, Kang In Lee, nuk mund ta fshehte keqardhjen e tij të thellë për vdekjen e Yoo Sang Cheol, 49 vjeç, një nga heronjtë e Kupës së Botës 2002 në Kore dhe Japoni, i cili ishte gjithashtu zbuluesi i tij. Pasi “vari këpucët në gozhdë”, Cheol drejtoi programin televiziv “Fly Shoot Dori”. Këto kanë qenë kujtimet e para që lojtari aktual i Valencias ka shprehur në një mesazh kuptimplotë, përmes profilit të tij në Instagram, i pikëlluar nga ndarja nga jeta:
“Unë isha 7 vjeç dhe si i pafajshëm, vetëm me ëndrrën për t’u bërë futbollist, takova trajnerin… Ai është personi i parë, të cilit i jam mirënjohës që më mësoi argëtimin e futbollit. Isha shumë i ri, por kur ishte fjala për futbollin, ai gjithmonë më jepte mësime serioze dhe të thella. Mendoj se ato mësime ishin një hap i parë domethënës në jetën time të futbollit. Më vjen shumë keq që ke ndërruar jetë, para se të mund të të ktheja dhuratën e shkëlqyeshme që më bëre”.
Legjenda koreane e futbollit nuk mundi ta përmbushte dëshirën e tij për ta parë Kang In Lee në një ndeshje me stadiumin të mbushur, siç zbuloi disa muaj më parë. Duke vuajtur nga kanceri që nga fundi i vitit 2019, Cheol i rrëfeu lojtarit të Valencias përmes një dokumentari ëndrrën për ta parë duke luajtur një ndeshje futbolli në Europë.
Yoo Sang Cheol, gjithashtu ëndërronte të bëhej trajner i kombëtares së Koresë dhe të ishte në gjendje të stërviste Kang In Lee, tashmë si një futbollist ndërkombëtar. Në fakt, para se t’i zbulohej sëmundja, ai ishte trajneri i Incheon United, ekipi i vendlindjes së Kangin Lee.