Varianti Delta i koronavirusit, që u zbulua fillimisht në Indi, mund të përbëjë 90 për qind të rasteve të reja në Evropë nga fundi i gushtit.

Ky është parashikimi që ka bërë sot agjencia evropiane për kontrollin e sëmundjeve.

“Bazuar në përparësinë e vlerësuar të transmetimit të variantit Delta dhe duke përdorur parashikimet e modelimit, 70% e infektimeve të reja SARS-CoV-2 parashikohet të vijnë për shkak të këtij varianti në BE / EEA deri në fillim të gushtit dhe 90% të të infektuarve deri në fund të gushtit, ” tha Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) në përmbledhjen e rregullt të vlerësimit të kërcënimeve.”

Varianti është cilësuar si “shqetësues” nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe tashmë është përhapur në më shumë se 60 vende të botës. Ky variant vlerësohet të jetë 40-60% më i transmetueshëm se varianti Alpha, i zbuluar për herë të parë në Angli.

Mund të shoqërohet gjithashtu me një rrezik më të lartë të shtrimit në spital dhe provat sugjerojnë që njerëzit që kanë marrë vetëm një dozë të një kursi vaksinimi me dy doza janë më pak të mbrojtur ndaj tij sesa ndaj çdo varianti tjetër, pavarësisht nga lloji i vaksinës. Vaksinimi i plotë, sidoqoftë, siguron mbrojtje gati ekuivalente ndaj variantit Delta.

Në Mbretërinë e Bashkuar, varianti Delta përbën tashmë më shumë se 90% të rasteve të reja me COVID dhe ka çuar në një rritje të infeksioneve pavarësisht shkallës së lartë të vaksinimit. Kjo e detyroi qeverinë të vonojë lehtësimin e planifikuar të kufizimeve në Angli me katër javë.