Edona Bilali, e cila fitoi mandatin e deputetes në Shkodër për PS, e vuri theksin në bashkëpunimin e palëve politike pozitë-opozitë në të mirë të qytetarëve, pasi për njerëzit e rëndësishme është marrja e shërimit korrekt dhe cilësor dhe jo se kush ia mundëson atë shërbim. Në një intervistë për Report Tv, Bilali tha se aktualisht është duke punuar me disa projekte të vogla në infrastrukturë dhe turizëm. Këto projekte, tha Bilali, kanë një afat të shkurtër kohor deri sa në shtator ajo të marrë zyrtarisht mandatin e deputetes dhe të nis nga puna në shërbim të qytetarëve.
“Bashkëpunimi mes të gjithë palëve politike pasi qytetari meriton një shërbim dhe nuk bën diferencë nëse ia siguron bashkia apo qeveria, por merr shërbimin. Në fund për qytetarët e rëndësishme është që me u krye puna. Unë kam pasur një takim me Voltana Ademin dhe jam pritur shumë mirë. Mendoj se bashkëpunimi është çelësi i suksesit dhe të bëjmë atë që jemi mandatuar të gjithë, qoftë zonja Ademi në bashki dhe ne në parlament, për t’i shërbyer qytetarëve. Unë vijojë të takohem me qytetarët dhe të punojë me miniprojekte në turizëm apo infrastrukturë që kanë një afat të vogël kohor deri sa të fillojmë zyrtarisht në shtator”, tha Bilali.
Për fitoren e Vllaznisë dhe sjelljen e kupës së Shqipërisë në Shkodër pas 13 vitesh, Bilali u ndje shumë e emocionuar. Bilali sqaroi edhe kërkesën e saj drejtuar kryeministrit Edi Rama për lejimin e tifozëve, duke thënë se çdo ide dhe kërkesë që ajo i ka paraqitur deri më sot, kryeministri Rama është treguar i gatshëm t’i pranojë duke i kthyer në projekte e plane pune.
“Që prej 8 marsit dhe deri më sot për çdo gjë që i kam çuar kërkesë dhe ide nuk kam marrë kurrë përgjigje negative dhe ka pranuar që idetë të mos ngelen të tilla por të kthehen në plane e projekte për t’i çuar përpara. Për Shkodrën nuk ka thënë kurrë jo”, shtoi Bilali.