Eksperti për sigurinë rrugore, Islam Qibini duke folur për aksidentin e rëndë në aksin Fier-Vlorë me katër të vd ekur, tha se “emigrantët bien pre e veprimeve të papërgjegjshme në rrugë, sidomos shoferëve të moshave të reja që janë kthyer në problematikë”.
Eksperti bën apel që Policia Rrugore të nisë një fushatë sensibilizimi për t’i njohur emigrantët me infrastrukturën rrugore pasi ajo është e ndryshme nga vendet ku ata jetojnë si dhe me problematika të tjera.
Gjithashtu z. Qibini theksoi se “Drejtoria e Transportit duhet të bëjë kujdes pasi më shpejt lëshohet një leje drejtimi se sa një pasaportë”. Sipas tij, duhen forcuar kriteret pasi aktualisht ka rreth 115 autoshkolla në Tiranë ku personat që pajisjen me leje drejtimi nuk kanë aftësitë e duhura.
Ai cilësoi si drejtues problematikë të rinjtë që nuk respektojnë kufizimet e shpejtësisë dhe tha se për këtë nevojitet krijimi i një regjistri të dhënash.
“Drejtuesi i automjetit që ka bërë një veprim të papërgjegjshëm në këtë aksident nuk është rasti i parë që udhëton me shpejtësi tej normave të shpejtësisë. Policia Rrugore duhet të ketë një databazë për këta drejtues, sidomos për të rinjtë, në mënyrë që t’i ketë në kontroll”, tha euronews albania.
Eksperti thotë se Drejtoria e Përgjithshme e Policisë Rrugore duhet të bëjë një analizë të thellë për aksidentet rrugore. Ai foli gjithashtu për mungesë të sinjalistikës rrugore, infrastrukturë të dobët si dhe mungesë të mjeteve në dispozicion të Policisë Rrugore.
“Nga informacioni që kam Policia Rrugore nuk është e pajisur me mjete te duhura. Nuk kanë aparate drager për matjen e alkoolit dhe radarë. Numri i radarëve dhe dragerave është shumë i kufizuar dhe shumë prej tyre kanë dalë jashtë përdorimi dhe ende nuk është bërë tenderi”, përfundoi z. Qibini.