Megjithëse i grumbulluar me Argjentinën në Copa America, Leo Mesi vijon të jetë në qendër të vëmendjes pasi më datë 30 i skadon kontrata me Barcelonën dhe ende nuk ka rinovuar. Nga klubi katalanas filtron prej ditësh një lloj optimizmi i cili nuk është totalisht i motivuar duke qenë se “Pleshti” nuk ka hedhur ende asnjë firmë.
U fol se kishte rënë dakord për 50 milionë euro në sezon, megjithatë nuk ka asgjë konkrete dhe me qëndrimin e tij po mban peng Barcelonën. Gjithsesi, klubi nuk ka qëndruar duarkryq, duke qenë se janë regjistruar prurje si Depaj dhe Aguero, megjithatë deri në akorde zyrtare, Mesi do të vijojë të mbajë “peng” klubin në lidhje me merkaton dhe planet për sezonin e ri. Ndërkohë, edhe presidenti Laporta nuk qëndron duarkryq.
Pavarësisht strategjive, burime pranë tij shpjegojnë se kreu i blaugranave është optimist për gjetjen dhe arritjen e një akordi me Mesin që do të vazhdonte kështu të magjepste “Camp Nou”-n edhe në vitet në vijim, pavarësisht se është drejt perëndimit duke qenë se dy ditë më parë festoi 34-vjetorin e lindjes.